Komunat kanë shprehur interesim të lartë për realizim të projekteve infrastrukturore me para nga buxheti i shtetit. 80 komuna me rreth 357 projekte kanë aplikuar në thirrjen publike për financim.

Mjetet e ndara me rishikim të buxhetit kapin vlerën 100 milionë euro. Ministri i vetëqeversisjes lokale, tha se të gjitha komunat e kanë shfrytëzuar këtë thirrje duke aplikuar me më shumë projekte.

“Ne nuk i ndajmë njësitë lokale sipas etnitetit, thirrja publike ishte paraparë për të gjitha njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe siç potencova, 80 komuna e kanë shfrytëzuar thirrjen publike, praktikisht të gjitha komunat kanë aplikuar për mjete”, tha Zllatko Perinski, ministër i vetëqeverisjes lokale.

Ministri tha se aplikimet janë të shumëllojshme. Ka aplikime për infrastrukturë rrugore, për rikonstruim të rrjeteve të ujësjellësit, për sistemet e kanalizimit. Ndërsa ka aplikime edhe për blerje të mjeteve transportuese. Por meqë mjetet nga kjo thirrje janë paraparë vetëm për përmirësim të infrastrukturës, aplikimet për blerje të mjeteve për transport publik apo automjete të zjarrëfikësve, me shumë gjasa do të refuzohen.

“A do të blihen autobusë dhe kështu me rradhë, vlerësoj se nuk është qëllimi kryesor i kësaj thirrjeje publike që Qeveria të blejë mjete bazë për ndërmarrjet komunale, por përkundrazi të përmirësohet infrastruktura në korrniza të vetëqeverisjes lokale”, shtoi Zllatko Perinski, ministër i vetëqeverisjes lokale.

Akoma nuk dihet se cila është vlera e parave që komunat kanë kërkuar deri më tani, por ministri konfirmon se ato e tejkalojnë shumën e paraparë prej 100 milionë eurosh. Vijon procedura e evaluimit, ndërsa deri në fund të muajit pritet të përfundojë e gjithë procedura dhe të dihet se cilat projekte do të financohen nga paratë e shtetit. Ministri Perinski, paralajmëroi që nga viti I ardhshëm do të ketë mjete shtesë për komunat në vlerë prej 250 milion euro dhe për këtë fazë do të ketë thirrje të re./