Dashuria ndër shekuj është shprehur përmes fjalëve, gjesteve të ndryshme. Shumë simbole janë përdorur nga njerëzit për ta përfaqësuar atë. Ka disa prej tyre që sado vite të kalojnë, ruajnë të njëjtën vlerë e të tjera që janë zbehur ose që shumë prej nesh nuk e kanë ditur që simbolizonin ndjenjën që vë në lëvizje botën.
Iu rendisim pesë simbolet e dashurisë dhe kuptimet e tyre të vërteta.
Trëndafilat e kuq
Dita e Shën Valentinit shënon kulmimin e blerjeve dhe dhurimit të trëndafilave të kuq, por simbolika e tyre i ka fillesat mjaft të hershme. Lidhja mes tyre dhe dashurisë daton nga mitologjia Greke dhe Romake. Lidhet ngushtësisht me Afërditën dhe Venerën . Veç kësaj, trëndafilat e kuq u popullarizuan shumë edhe nga poetët që i shkruan dashurisë dhe pasionit.
Zemra
Asgjë më mirë se zemra nuk mund ta shprehë romantizmin. Zemra simbolizon qendrën e gjithë ndjenjave njerëzore, përfshirë këtu edhe dashurinë. Për herë të parë, forma e zemrës u përdor për të përshkruar dashurinë në një poemë të titulluar “Dokumenti i dashurisë” i Francesco Barberino në shek XIV.
Kupidi
Në mitologjinë Romake, Kupidi është djali i Perëndeshës së Dashurisë, Venerës dhe Perëndisë së Luftës, Marsit. Në mitologjinë greke njihet si Eros. Në ilustrime gjendet si një engjëllush topolak me hark e shigjetë që i godet njerëzit në zemër për të ndezur dashurinë. Jo pak herë është portretizuar edhe si i verbër.
Mjellma
Edhe simboli i mjellmës për të portretizuar dashurinë daton që në mitologjinë Greke dhe atë Romake. Bashkimi i qafave të dy mjellmave krijon përshtypjen e zemrës. Këta zogj njihen edhe si zogj që çiftëzohen për jetën.
Guaska
Natyra mbrojtëse e guaskës e bën atë një simbol të përsosur për shprehjen e ndjenjës sublime të dashurisë. Piktura e famshme “Lindja e Venerës” e Sandro Botticielli-t, përshkruan Perëndeshën romake të dashurisë që del nga deti duke qëndruar mbi një guaskë.
Comments are closed for this post.