Krijimi i Regjistrit Qendror të Popullsisë nxori shifra për numrin e banorëve të Maqedonisë së Veriut. Gjatë prezantimit të këtij Regjistri në Ministrinë e Administratës Publike dhe Shoqërisë Informative u tha se kjo bazë e të dhënave është formuar nga sistemi i MPB-së, Regjistri Qendror dhe Drejtoria për udhëheqjen e librave Amë. Ministri Damjan Mançevski tha se këto shifra nuk janë plotësisht të sakta, por ndihmojnë Entin e Statistikave, që të përdorin sistemin elektronik gjatë regjistrimit të popullsisë derë më derë. Sipas të dhënave të dala nga sistemi elektronik i këtyre tri institucioneve në Regjistrin Qendror të Popullsisë si shtetas të Maqedonisë së Veriut figurojnë afërsisht rreth 2,4 milion banorë.

“Popullsia e regjistruar në total: 2.867.829 (prej të cilëve 249.438 janë të vdekur).Popullsia aktive që jeton në vend: 2.422.484 (prej të cilëve 30.565 janë të huaj). Jashtë shteti janë paraqitur se jetojnë: 175.553 (kjo shifër është shumëfish më e lartë)”- thuhet në Regjistri Qendror të Popullsisë.

Ministri Mançevski tha se ky sistem që lidh tre institucionet kyçe me të dhënat personale të qytetarëve do tu mundësoj atyre që të marrin shërbimet në formë elektronike. Ai thotë se kjo nuk do të mund të keqpërdoret, meqë në vend të numrave amë do të përdoren kode të posaçme.

Sipas ligjeve që i kemi sjell para disa muajve dhe tekniken e instaluar për regjistrimin e popullsisë, posaçërisht në sistemin ‘interoperabil’ absolutisht qytetarët mund të jenë të sigurte që të dhënat e tyre janë të mbrojtura, nuk mund të ketë keqpërdorime nga ana e institucioneve, normalisht. Me të vërtetë nuk kemi detektuar ndonjë sulm kibernetik në atë sistem që do të mund të keqpërdorte të dhënat e qytetarëve nga jashtë. Ne të gjitha institucionet duhet të punojmë për të ngritur nivelin e mbrojtjes për tu kujdesur jo vetëm për të dhënat personale nga sulmet kibernetike”-tha Damjan Mançevski, ministër i Administratës

 

Këtë sistem elektronik të Regjistrit Qendror të Popullsisë e financoi Bashkimi Evropian me 5 milion euro, me kusht që të krijohet një portal për dhënien e rreth 50 shërbimeve administrative të qytetarëve në formë elektronike. Zyrtari i BE-së në Shkup tha se për të funksionalizuar këtë duhet të miratohet sa më shpejtë edhe Ligji për regjistrimin e Popullsisë.

Mund të themi se Enti i Statistikave dhe Ministria e Administratës janë të gatshme për regjistrimin e popullsisë, megjithatë për të realizuar këtë duhet miratimi i ligjit. Për këtë jemi në pritje të shohim se si do të zhvillohet ky proces në Kuvend e RMV-së dhe shpresojmë që në aspektin pozitiv do të arrihet konsensusi në Parlament për të miratuar ligjin e ri për regjistrimin e popullsisë”-pohoi Srek Janmaat, Zyrtar i BE-së në Shkup.

 Përveç leverdive tjera, nga Ministria e Administratës thanë që kjo bazë e të dhënave elektronike do të mund t’i shërbej si vegël metodologjike edhe Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për pastrimin e listave zgjedhore nga personat fantazmë, duke evidentuar një listë më të saktë zgjedhore. /Alsat-M/