Sipas raporteve vendore e të konfirmuara nga ato evropiane rreth 1350 qytetarë të Maqedonisë vdesin nga sëmundjet që shkaktohen nga ndotja e madhe e ajrit, mirëpo me të bërat dhe të pabërat e qeverisë reportet e reja evropiane tërheqin vërejtjen se ka pak gjasa se gjendja të ndryshojë së shpejti për të mirë.

Të gjeturat e para dy viteve të Institutit Finlandez Meteorologjik, Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor e Institutit të Maqedonisë për Shëndet Publik për gjendjen me ndotjen e ajrit dhe pasojat në shëndetin e qytetarëve para dy viteve tingëlluan si alarm.

“Për çdo ditë njerëzit vuajnë nga sëmundjet e frymëmarrjes (astma, bronchitisi kronik…etj” thotë Instituti për Shëndetin Publik, sipas të cilit ndotja e ajrit i kushton ekonomisë së vendit edhe 253 milion Euro (shifrat e vitit 2011) për shkak të numri të lartë të vdekjeve të hershme, kostos shëndetësore, zvogëlimit të fuqisë prodhuese të popullatës dhe mungesës së vendeve civile të punës.

Sipas këtyre studimeve ndotja e ajrit në Maqedoni ka shkaktarë të ndryshëm. Matje të tilla nga instituti finlandez në bashkëpunim me ato vendoret janë bërë së fundi gjatë viteve 2015-2016 në Shkup, Kumanovë, Tetovë dhe Manastir.

Matjet nga stacioni matës në Karposh për qendrën e Shkupit thonë se kryeqyteti i vendit është i treti më i ndoturi në Evropë, pas Budapestit dhe Bukureshtit.

Kjo renditje është konfirmuar në 2016 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO).

Studimi finlandez në bashkëpunim me institutin dhe ministrinë e Maqedonisë thotë se djegia e lëndëve ‘biomass’ ( dru, thëngjill dhe naftë) është pjesëmarrëse me 36 për qind në mostrat e ajrit të marrë mbi kryeqytet.

Gjatë stinës së dimrit ndotja është më e larta dhe djegia me dru bëhet e para në listë si shkaktare, sepse 62 për qind e shtëpive përdorin dru për ngrohje.

Në vendin e dytë të shkaktarëve të ndotjes së ajrit është pluhuri nga toka me 20 për qind pjesëmarrje.

Në vendin e tretë gazrat ndotës nga djegiet nëpër objektet industriale me 18 për qind. Këtu ndotja vjen nga prodhimi i çelikut dhe derivatet e tjera të hekurit pastaj prodhimi i cementit dhe i rrymës elektrike përmes lignitit në Manastir dhe Oslomej.

Në vendin e katër gjenden gazrat në trafik (veturat…), sidomos veturat e vjetra që përdorin diezelin  për djegie.

Kjo është gjendja me shkaktarët kryesor të ndotjes alarmante nëpër qytetet e Maqedonisë sipas këtyre instituteve.

Por, masat e deritashme të ndërmarra dhe ato të parapara nga qeveria e vendit janë mjaft të pakta dhe të ngadalshme për të patur ndonjë efekt të shpejt.

Në qytetin e Tetovës është bërë një ndërhyrje me mbylljen e Jugohromit, pra në faktorin industrial të ndotjes.

Ministri për Ambientin Sadulla Duraku, ditë më parë tha se vitin e kaluar qeveria “ka shpërndarë 350 filtra për ndërtesat e institucioneve nëpër disa qytete ku janë më të ndotura”. Ai tha se “do të vazhdohet edhe këtë vit me shpërndarje filtrash”.

Por, sipas ministrit masa kryesore dhe më kontribuuesja në zvogëlimin e ndotjes së ajrit është gazifikimi i Maqedonisë, pra edhe për ngrohje gjatë dimrit përmes gazit, gjë që tash për tash mbetet vetëm një ide e largët për t’u realizuar për shkak të kostos së madhe.

Sipas tij duhen qindra milion Euro për të ndryshuar gjendjen e tashme me ndotjen e ajrit.

“Me buxhetin që kemi është e pamundur që të bëhen të gjitha punët që e zvogëlojnë ndotjen e ajrit.. .Jemi duke biseduar që të merret edhe një kredi…,” tha Duraku për Alsat-M ditë më parë.

Ndërkohë që flet për gazin, Ministri Duraku nuk është përgjegjur në pyetjet e Zhurnal.mk se çfarë lëndëse djegëse përdorë ai në shtëpinë e tij apo të ndërtesës ku ai punon për ngrohje.

Ndërkohë, efekti masave të ndërmarra tash për tash nuk mund të matet saktësisht. Do të duhej një studim i ri profesional për të parë efektet.

E kritika në adresë të autoriteteve të vendit muajin e kaluar erdhën edhe në një raport për masat për cilësinë e ajrit, bërë për disa vende të Evropës.

Raporti i EUROSAI i përgatitur nga Gjykata e Auditimit e Holandës dhe Zyra Supreme e Auditimit në Poloni flet për ngecjet e shumta në Maqedoni nga aspekti i zbatimit të politikave për cilësinë e ajrit si në nivelin qendror e atë komunal.

“Nuk ka sistem për monitorimin e zbatimit të secilës masë…”, thuhet në raport në të cilën kritikohet Plani Nacional i Maqedonisë i cili nuk përfshinë indikatorë për matjen e efektit të zbatimit të politikave, masave gjë që e vështirëson monitorimin e efekteve të masave që qeveria ndërmerr për të arritur synimet për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Sipas raportit të EUROSAI vetëm Tetova, Manastiri dhe Shkup kanë përgatitur plane afat-shkurtra për mbrojtjen e ajrit, por edhe ato nuk kanë afate të qarta kohore për zbatimin e secilës masë të paraparë.

Probleme në këto planifikime ka edhe me aspektet financiare. Nuk është përcaktuar as cili trup duhet bërë monitorimin dhe vlerësimin e efektit të masave të parapara, tërheq vërejtjen raporti.

Tek aspektet financiare për të mbuluar masat e zbatimit për zvogëlimin e ndotjes së ajrit, raporti përkujton se nga qeveria janë dedikuar vetëm 0.1 për qind të GDP-së për këtë synim.

Sipas gjetjeve në këtë raport, mund të konkludohet se qytetarët e Maqedonisë do të vazhdojnë edhe një kohë të gjatë të përballen me problemin ndotjes së ajrit i cili po godet edhe shëndetin e tyre.