Saturday, 15 December 2018 | Lajme: 0

“Teatri Shqiptar”, ndahen edhe 810 mijë euro për rikonstruktimin e tij (Video)

Teatri shqiptar në Shkup do të marrë 810 mijë euro shtesë nga buxheti i Ministrisë së kulturës, të parashikuara për vitin e ardhshëm. Ministri i Kulturës Asaf Ademi tha se pret që ky institucion kulturor së shpejti të jetë gati. Rikonstruksioni po zgjat tashmë pesë vite ndërsa deri më tani janë shkelur shumë afate. Premtimi i fundit nga ky institucion është se godina do të përfundoj deri në Vitin e Ri.

Ndryshe, vet Ministria e Kulturës para dy javëve publikoi raport, i përgatitur nga një grup i jashtëm i revizionit, e që kishte të bëjë pikërisht me rikonstruksionin e Teatrit shqiptar. Dokumenti me konkluzionet është dorëzuar në Qeveri, por ende nuk është shqyrtuar në seancë. Ministri shton se në mënyrë plotësuese ka formuar grup pune në kuadër të Ministrisë, i cili heton rezultatet e raportit i cili është dërguar edhe pranë revizionit shtetëror, por edhe në Ministrinë e financave.

Më datën 16 të këtij muaji, Ministria e Kulturës publikoi raportin special. Në dokument qëndronte se personat e pakualifikuar i kanë udhëhequr procedurat e tenderimit. Vlera e projektit është rritur. Edhe pse nuk ka pasur kurrfarë ndryshimi në projektin e vitit 2012, shuma e parave të siguruara është rritur për plot një milion euro. Përveç kësaj, grupi i punës ka konstatuar se kompania “Shencia” që e kryen rikonstruimin ka pasur dy filiale, gjë që ishte në kundërshtim me ligjin. Sipas analizës së revizionit të pavarur, deri më tani për riparimin e ndërtesës janë nënshkruar marrëveshje në vlerë prej 10 milionë e 600 mijë euro. Procedurë parahetimore në kuadër të “Shkupi 2014” lidhur me rindërtimin e Teatrit Shqiptar ka ngritur edhe Specialja. Në mënyrë plotësuese deri tek Katica Janeva është dorëzuar një raport i revizorëve të posaçëm, por dokumente për rikonstruimin e teatrit ka dërguar edhe policia financiare. Nga teatri shqiptar, thonë se sanimi i ndërtesës është në përputhje me ligjet./Alsat/