Saturday, 15 December 2018 | Lajme: 0

Investimet kapitale, realizohen vetëm 41% nga të planifikuarat (VIDEO)

Edhe pse Qeveria me rishikimin e buxhetit i uli mjetet për investimet kapitale, realizimi në muajin e dhjetë ka vazhduar me dinamikë katastrofale. Të dhënat për realizimin e buxhetit tregojnë se për dhjetë muaj janë shpenzuar vetëm 123,5 milionë euro nga gjithsej 300 milionë eurot për investime kapitale, të parapara me rishikim, më saktë, vetëm 41% nga planifikimet. Realizim më të madh prej 18 milionë eurosh ka pasur në muajin korrik ndërsa më dobët ka qenë në janar me vetëm 4,6 milionë euro realizim. Qeveria është optimiste se vitin e ardhshëm do të kemi investime më të mëdha në pjesën e projekteve kapitale. Me rishikimin e buxhetit janë shkurtuar rreth 100 milionë euro të parapara për investime kapitale. Nëse do të mbetej plani fillestar prej rreth 400 milionë euro për këtë vit, realizimi do të ishte edhe më i keq apo vetëm 31%.

Presim intensifikim serioz të projekteve kapitale, konkretisht për vitin e ardhshëm, se do të jetë mbi 300 milionë euro në projekte siç janë infrastruktura rrugore, një pjesë e infrastrukturës hekurudhore, flasim në pjesën e hapjes së autostradës Milladinovc- Shtip së shpejti, intensifikim serioz të aktiviteteve në aksin Kërçovë- Ohër, mbarimin e dokumentacionit projektues të autostradës Shkup-Bllacë dhe intensifikimin e rrugëve ekspres”- u shpreh Goran Sugareski- ministër i transportit dhe lidhjeve.