Monday, 10 December 2018 | Lajme: 0

Çështja e Gruevskit diskutohet në Kuvendin e Hungarisë, opozita kërkon përgjigje për kërkesën për azil politik

Opozita në Parlamentin e Hungarisë sot në seancën për pyetjet e deputetëve, ka shtruar çështjen e kërkesës për azil politik nga ish-kryeministri i Maqedonisë, i cili para disa ditëve u arratis në Budapest.

Deputeti i partisë opozitare “Lëvizja për Hungari më të mirë”, Adam Mirkoshki, bëri apel që të tregohet se çfarë roli kanë pasur autoritetet hungareze në lidhje me kalimin e kufijve nga ana e Gruevskit.

Ndërsa deputeti Arati Gergeli, pyeti nëse është e vërtetë se Gruevski është vendosur në njërën nga pronat e kryeministrit hungarez Viktor Orban. Ndërsa në këtë pyetje është përgjigjur kabineti i Orbanit, duke thënë se Gruevski në mënyrë ligjore po qëndron në Hungari.

Kurse Viktor Orban tha se ish-kryeministri Nikolla Gruevski do të ketë trajtim special sepse ka qenë 10 vjet kryeministër.

Sipas ligjit të Hungarisë, trajtimi special për azilkërkuesit vlen në rast se azilkërkuesi është fëmijë pa shoqërimin e prindërve, grua shtatzënë, person me nevoja të veçanta ose me aftësi të kufizuara fizike dhe të ngjashme./