Monday, 10 December 2018 | Lajme: 0

Çaji i duhur dhe koha më e përshtatshme për ta pirë sipas ekspertëve Living

Pasi shijuam gjallërinë e pranverës dhe harenë e verës, stina e vjeshtës, me gjethet që bien dhe degët e zhveshura, na kujton se çdo gjë është kalimtare, e paqëndrueshme dhe ne duhet të përshtatemi me këto ndryshime.
Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe organizmi ynë: të përshtatet dhe të jetë në harmoni me stinën e vjeshtës, së cilës natyra i ka falur kaq begati. Aleati më i mirë dhe natyral në këtë stinë është pa dyshim çaji, dhurata më e çmuar që mund t’i bëjmë organizmit në këtë periudhë. Ai forcon imunitetin duke bërë që virozat të kalohen sa më lehtë.
“Një substancë apo një veprim mund të jetë ushqim, mjekim ose helm për trupin a mendjen: gjithçka varet nga rrethanat”, – thotë dr. Robert Svoboda.
Për të zbuluar se cili është çaji i duhur dhe koha më e përshtatshme për ta pirë, me qëllim që të merrni prej tij efektet maksimale për trupin dhe mendjen, ndiqni këto këshilla:
Në mëngjes: çaje të ngrohta me barishte ose erëza me shije të fortë dhe pak të hidhura, janë ideale për të nisur ditën. CHAI Indian është një zgjedhje ideale për mëngjesin ashtu siç është tulsi ose borziloku, i përzier me xhenxhefil dhe çaj jeshil ose të zi. Nëse keni pasur një mëngjes të bollshëm dhe ndiheni të mbingopur, provoni xhenxhefilin me limon, mjaltë dhe pak spec të kuq djegës.
Në mesditë: zgjidhni bimë të freskëta me shije të ëmbël dhe pak të hidhura, që ta rrudhin lehtë gjuhën. Nëse keni ftohtë apo ndiheni të dobët, pini xhenxhefil ose çaj tulsi. Çaji i limonit është një çaj i mrekullueshëm dhe ndihmon në tretjen e ushqimit. Mund t’i shtoni pak nenexhik, nëse jeni nervozë dhe pijeni në temperaturë dhome. Nëse keni probleme me fytin, provoni çaj jamballi.
Pasdite vonë ose pak para se të bjerë mbrëmja: pini çaje me shije të ëmbël ose të athët. Nuk duhet të pini çaje me efekt stimulues. “Yogi Tea” i cili përmban jamball dhe kardamon, është shumë i dobishëm. Gjithashtu, mund të pini qumësht të ngrohtë me pak mjaltë dhe gjysmë luge të vogël arrëmyshk.
Para gjumit: provoni çajet qetësuese si atë të livandës ose të kamomilit, që do t’ju qetësojnë para se të flini.