Monday, 19 November 2018 | Lajme: 40

Enti Shtetëror i Pronësisë Industriale shënoi 25 vjetorin e formimit të saj

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi  mori pjesë në shënimin e 25 vjetorit të Entit Shtetëror të Pronësisë Industriale, me ç’rast tha se mbrojtja më e madhe e të drejtave të pronësisë intelektuale sjell më shumë investime të huaja.

“Vlera e lartë e përdorimit të produkteve dhe shërbimeve si dhe prodhimi i produkteve të reja me vlerë më të lartë të shtuar, paraqet çelësin e forcimit të tregut të kompanive, me qëllim që të jetë një prodhim më cilësor dhe më i lirë. Në këtë proces, niveli teknologjik i kompanive luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. Nga ana tjetër, inovacioni dhe kreativiteti kanë një ndikim pozitiv në jetën e përditshme, ndërsa mbrojtja e pronësisë intelektuale është një element thelbësor për funksionimin e suksesshëm të tregut të vetëm evropian”, tha Bekteshi në hapjen e konferencës me temën: “Transferimi i teknologjisë dhe të drejtave të pronësisë intelektuale në Republikën e Maqedonisë” me rastin e 25 vjetorit të themelimit të Entit Shtetëror të Pronësisë Industriale.

Ai shtoi se në bazë të hulumtimeve, numri i investimeve të huaja direkte është në përpjesëtim proporcional me nivelin e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale dhe është me rëndësi të madhe korniza e vërtetuar ligjore dhe politike për të promovuar zgjidhje të reja që i përgjigjen kërkesave të tregut.

“Me kënaqësi të madhe do të theksoj se rregulloret e Republikës së Maqedonisë në këtë fushë janë të harmonizuara me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale. Kjo mundëson mbrojtje efikase të këtyre të drejtave dhe siguri më të madhe ligjore për kompanitë e huaja dhe në të njëjtën kohë përmirëson klimën e investimeve në vend”, tha Bekteshi.

Drejtori i ESHPI Safet Emruli rikujtoi rrugën nëpër të cilën ka kaluar ky institut për t’u bërë një institucion modern i i cili tani më 10 vite është anëtar i plotë i Organizatës Evropiane të Patentave.

“Nga fillimi i formimit të tij e deri më sot, qëllimi ynë është rritja e cilësisë së shërbimeve me standardet ndërkombëtare në aspektin e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë industriale në Republikën e Maqedonisë. Ne kemi miratuar dy strategji nacionale dhe kemi realizuar një sërë projektesh për të harmonizuar legjislacionin nacional me atë evropian, ndërsa vazhdojmë të punojmë në ngritjen e vetëdijes për rëndësinë dhe përfitimet e zbatimit të pronësisë industriale “, shpjegoi Emruli, duke shtuar se deri më tani në këtë ent janë paraqitur 32.000 marka tregtare, 10.000 patenta, më shumë se 1,000 aplikime për dizajn industrial, ndërsa janë regjistruar 26.000 marka tregtare,8.800 patenta dhe dhjetëra emra gjeografikë, nga të cilat 5 kanë mbrojtje ndërkombëtare.

Zëvendëskryetari i Entit Evropian të Patentave, Zheljko Topiq, u përqëndrua në bashkëpunimin e frytshëm të organizatave evropiane me entin, madje edhe para se të marrë anëtarësimin e plotë.

“Krijimi i një sistemi kombëtar të mbrojtjes së pronësisë industriale dhe kulturës për rëndësinë e kësaj sfere ka një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin nacional ekonomike, i cili bazohet në njohuri dhe inovacion. Dëshiroj të theksoj angazhimin e Entit Shtetëror të Pronësisë Industriale, i cili ka punuar me ne për të zhvilluar dhe zbatuar një program gjithëpërfshirës për bashkëpunimin dypalësh. Ne do të vazhdojmë të japim mbështetje për zhvillimin e iniciativave të reja të përbashkëta”, tha Topiq.

Në këtë ceremoni, mesazhin e dhënë në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Organizatës Botërore për Pronësi Intelektuale, Dr. Fransis Guri, e përcolli Silvia Trpkovska: “Më shumë se 25 vjet Organizata Botërore ka komunikim konstruktiv me Entin, i cili nënshkroi marrëveshje të rëndësishme në fushën e pronësinë industriale, që i vuri bazat për pjesëmarrje aktive të vendit tuaj në sistemin ndërkombëtar të pronësisë industriale. Marrëveshjet janë një gjë ndërsa krijimi i një mekanizmi funksional për një sistem të pronësisë intelektuale është diçka tjetër. Pikërisht në këtë pjesë, unë do të doja të shpreh një respekt të veçantë për progresin e madh që vendi juaj ka arritur në një periudhë relativisht të shkurtër në drejtim të krijimit të një arkitekture nacionale legjislative dhe të infrastrukturës në sistemin e pronësisë intelektuale”.

Në këtë ceremoni u promovua “Monografia e 25 vjetorit të Entit Shtetëror të Pronësisë Intelektuale”, ndërsa në takimin punues morën pjesë ekspertët dhe përfaqësuesve të Entit Evropian të Patentave, Organizatës Botërore e Pronësisë Industriale, Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian dhe Fondit për Inovacionin dhe Zhvillimin Teknologjik.