Friday, 16 November 2018 | Lajme: 32

Ademi: Angazhohemi për barazi arsimore dhe rritje të cilësisë

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi ka pritur sot në një takim pune zyrtarë dhe përfaqësues politik të banorëve nga rajoni i Pellagonisë.

Në takimin me Xhemil Qamilin, kryetarin e Komunës së Dollnenit me Musa Ibrahimin, zëvendësdrejtorin e Agjencisë së Kadastrit dhe njëherit ish-deputet i kësaj zone dhe me Elgafar Jusufin, drejtorin e Agjencisë për nxitje të zhvillimit bujqësor në Manastir, është diskutuar rreth përpjekjeve që bën Ministria e Arsimit dhe Shkencës në drejtim të avancimit dhe rritjes të cilësisë së shkollimit për nxënësit e kësaj ane.

“Përmirësimi i cilësisë së shkollimit është njëri prej prioriteve kryesore të Ministrisë dhe Qeverisë dhe, në këtë plan një vëmendje të posaçme do të kenë pikërisht zonat e lëna pas dore, sa i takon afrimit të kushteve për realizimin e detyrimit ligjor për shkollim fillor dhe të mesëm”, tha mes tjerash ministri Ademi.

Në proces e sipër janë ndryshimet në Ligjin për arsim fillor, Ligjin për arsim të mesëm dhe Ligjin për standartin e nxënësve. Gjithë kjo ndërmarrje, bëhet me qëllim që të ofrojmë zgjidhje sa më të mira ligjore për zbatimin e reformave të paralajmëruara, ka sqaruar ministri i Arsimit. Me këtë rast, ai premtoi angazhimin e pakursyer të institucionit që drejton me qëllim të realizimit dhe avancimit të të drejtave për shkollim në gjuhën amtare për të gjithë nxënësit e shkollave të Dollnenit, Manastirit, e kështu me radhë.

Përfaqësuesit e rajonit të Pellagonisë, u treguan të gatshëm të japin kontributin e tyre për zbatimin sa më të shpejtë dhe kualitativ të këtyre politikave, që në thelb kanë barazinë arsimore, si parakusht për zbatimin sa më të mirë të reformave që po ndërmerr Ministria e Arsimit dhe Shkencës, njofton Zyra për marrëdhënie me publikun pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.