Friday, 16 November 2018 | Lajme: 32

Fillon Festivali i 37-të i xhazit në Shkup

Me performancën e pianistit britanik të xhazit Aleksander Hokins, i cili për këtë koncert vjen special nga Londra, sot në Operën dhe Baletin e Maqedonisë do të fillojë Festivali i 37-të i xhazit në Shkup. Deri të dielën, 21 tetor, në program janë katër koncerte prej orës 20 në OBM dhe tre në mesnatë në Sallën për vallëzim në Qendrën Rinore për Kulturë.

Pianisti i xhazit Hokins, i cili konsiderohet si një nga pianistët dhe kompozitorët britanikë më imagjinar dhe më novator, përveç shfaqjeve solo ka edhe spektër të gjerë të konteksteve kreative, duke përfshirë edhe kompozimin për kuartetin dhe ansamblin e tij, si dhe në projekte për liderë bashkëkohorë të muzikës. Angazhimet e tij në koncerte i sollën pjesëmarrje në skenat e mëdha të klubeve të koncerteve dhe festivale nëpër botë.

Në mbrëmjen e parë të festivalit prej orës 22 do të performojë edhe saksofonisti i famshëm amerikan, Dejvid Marej me kuartetin e tij, i cili së bashku me reperin dhe poet Sol Uiliams do ta prezantojë projektin “Blues for Memo”. Me këtë koncert Marej do ta fillojë turneun e tij evropian.

“Kur flasim për Dejvid Marej, pa dyshim duhet ta kemi parasysh rrugën e tij të gjatë muzikore: pothuajse nuk ka muzikant i cili me aq ndjenja dhe përkushtim e ka studiuar lidhjen midis avangardës dhe traditës dhe në atë proces ka fituar profil artistik i cili e bën të veçantë midis saksofonistëve të gjeneratës së tij”, theksojnë nga festivali i xhazit Shkup.

Në koncertin e mesnatës në QKM do të performojnë Arto Lindzi, i cili do të vijë nga Rio, ku edhe jeton kur nuk është në Nju-Jork, ndërsa në Shkup do ta shoqërojë bateristi norvegjez Paal Nilsen-Lav, një nga muzikantët skandinav më aktiv dhe më produktiv në dy dekadat e fundit.

Festivali i xhazit në Shkup paralajmëroi orientim programor ekskluziv, unik dhe të fuqishëm për edicionin e ardhshëm. Këtë vit do të dominojë xhazi bashkëkohor, ndërsa muzikantët të cilët do të marrin pjesë special do të vijnë për festivalin dhe koncertet e tyre, përveç te Dejvid Marej, nuk janë pjesë e turneut. Ato janë tiparet kryesore sipas të cilave festivali i 37-të, dallohet nga edicionet e kaluara.