Thursday, 13 December 2018 | Lajme: 6

“Kavaleria Rustikana” në Operën dhe Baletin e Maqedonisë

Opera dhe Baleti i Maqedonisë sonte do të performojë operën “Kavaleira Rustikana” nga Pjetro Maskanji, me regji të të ftuarit nga Italia – Xhandomeniko Vakari dhe nën dirigjimin e Ivan Eminoviqit.

Do të marrin pjesë solistët Pavlina Novakova në rolin e Santucës, Zoran Sotirov (Turidu), Riste Velkov (Alfio), Nikolina Janevska (Lola) dhe Marika Popoviq (Mama Luçia). Merr pjesë edhe kori dhe orkestra e OBM-së.

Maskanji e ka shkruar “Kavaleria Rustikana” në moshën 28-vjeçare, i inspiruar nga novela e Xhovani Vergës. Libreti është i Xhovani Tarxhoni-Tocetit dhe Guido Menaskit. Në konkursin “Sonzonjo” ka fituar çmimin e parë dhe më pas opera ka pasur premierë botërore me sukses shumë të madh, në skenën e Teatrit Konstanca de Roma më 17 maj të vitit 1890.

Në skenën e Operës së Maqedonisë kjo opera ka pasur disa shfaqje premiere – me premierën e parë u hap edhe fillimi zyrtar i punës së Operës në Teatrin Popullor të Maqedonisë, më 9 maj të vitit 1947.