Thursday, 13 December 2018 | Lajme: 22

Fiti: Parashikimet e ulura për rritjen ekonomike i referohen krizës së re politike

Parashikimet për ulje të rritjes ekonomike (2,5 për qind sipas Bankës botërore dhe 1,6 për qind sipas FMN-së) janë të pritshme dhe i referohen kësaj krize minipolitike, konsideron kryetari i ASHAM-it, akademiku, Taki Fiti.

“Në situata të këtilla ndryshojnë pritjet e investuesve, përkatësisht të subjekteve ekonomike. Ky është fakt krucial për profilim definitiv të shkallës së rritjes ekonomike. Ligjshmëri e njohur moti ekonomike është se pritjet ndikojnë shumë. Sepse, nëse ndërmarrjet tona dhe investuesit e huaj presin kohë më të këqija, tensione politike, atëherë, thjeshtë, njerëzit nuk investojnë. Nëse vjen deri te zgjedhjet politike, e tërë energjia, mundi, puna do të kthehen drejt zgjedhjeve. Për fat të keq, kur keni zgjedhje politike, njerëzit pak mendojnë për ekonomi dhe biznes, përmbahen edhe investuesit vendorë, edhe ata të huaj”, deklaroi kryetari i Akademisë së shkencave dhe arteve të Maqedonisë, e cila sot shënoi 51 vite të themelimit.

Konsideron se do të jetë më mirë nëse ndryshimet kushtetuese kalojnë në Kuvend dhe evitohen zgjedhjet, me çka, tha, do të evitohen edhe shpenzime dhe tensionime shtesë.

“Dhe të kthehemi drejt proceseve euroatlantike që janë kruciale për Maqedoninë. Afrimi ynë drejt NATO-s do të kontribuojë për derdhje më të madhe të investimeve të drejtpërdrejta të huaja. BE-ja dhe NATO-ja dërgojnë stabilitet – nëse keni stabilitet, gjërat shkojnë shumë më mirë”, theksoi Fiti.

Megjithatë, kryetari i ASHAM-it konsideron se edhe pa krizën e re politike, nuk do të mund të realizoheshin 3,2 për qind rritje të parashikuara nga Qeveria sepse, siç tha, mjaft është vonuar me investimet kapitale, projektet janë stopuar dhe mbesin, tha, pak muaj për t’u realizuar e planifikuara.

“Posaçërisht infrastruktura e madhe dhe rrugët kanë efekte të shpejta, madje edhe në afat të shkurtë. Ato efekte në ekonominë e Maqedonisë, për shkak të varshmërisë së madhe importuese në ndërtimtari nuk janë aq të mëdha sa në vende të tjera më të zhvilluara. Por nëse vjen deri te zgjedhjet politike, duhet të jemi të kënaqur nëse arrijmë me 1,6″, tha Fiti.