Thursday, 13 December 2018 | Lajme: 22

Në BE nuk flasin, në Kosovë shpallet shtyrja e liberalizimit të vizave

Çështja e liberalizimit të vizave është bërë pjesë e debateve të ashpra politike ndërmjet pozitës, opozitës dhe presidentit Hashim Thaçi. Në institucionet e BE-së ky proces është në procedurë, pritet edhe vendimi i Këshillit të Ministrave, por politikanët kosovarë po e vënë në pikëpyetje liberalizimin për shkak të përplasjeve në mes vete.

Gjithçka ka nisur rreth 2 javë më parë kur zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj duke folur për një takim me zyrtarë të BE-së tha se opozita doli kundër liberalizimit të vizave gjatë takimit.

“Opozita sot hapur doli kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Është për keqardhje sjellja e përfaqësuesve të disa partive opozitare në takimin me diplomatët e shteteve anëtare (COWEB) që po e vizitojnë Kosovën për herë të parë. Liberalizimi i vizave nënkupton liri udhëtimi për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe për anëtarët e opozitës. Lajmi i mirë nuk do të vonojë me gjithë agjendat dashakeqëse të një pjese të politikës në Kosovë”, kishte shkruar Hoxhaj.

Kjo deklaratë ishte marrë e mirëqenë edhe nga Presidenti Hashim Thaçi, i cili e kishte sulmuar po ashtu opozitën.

Çështja e vonesave të liberalizimit të vizave e cila herë ndërlidhet me zgjedhjet në Bashkimin Evropian e herë me ndërhyrjet në drejtësi në Kosovë, është përmendur edhe kur u përfol dorëheqja e Abelard Tahirit, kur u raportua se ai ka ofruar dorëheqjen për shkak të “ndërhyrjeve të kryeministrit” në drejtësi që mund të ndikojë në shtyrjen e liberalizimit deri në vitin 2020.

Një përplasje për çështjen e vizave ka ndodhur edhe dje, Ramush Haradinaj duke iu përgjigjur përfoljeve për shtyrjen e vizave ka thënë se askush në BE deri më “tani nuk ka thënë jo”.

Presidenti Hashim Thaçi dje, po ashtu, ka përmendur ndërhyrjet e Haradinajt në drejtësi për çështjen e veteranëve duke e ndërlidhur këtë me vizat.

Ndryshe, Ramush Haradinaj gjatë qëndrimit në SHBA muajin që shkoi ka thënë se ka takuar kryeministrin e Holandës, një vend skeptik për vizat, të cilin ka thënë se e ka siguruar se nga Kosova nuk do të shkojnë azilkërkues e as kriminelë.

Haradinaj, megjithatë, ka thënë se një vend tjetër me të cilin duhet të punohet është edhe Franca e cila, po ashtu, është një nga vendet që ka rezerva për vizat.

Sido që të jetë, zyrtarë të BE-së të cilët merren me këtë proces si komisionari Hahn, raportuesja e Parlamentit për çështjen e vizave, Tanja Fajon, nuk kanë përmendur publikisht ndonjë shqetësim që flet për shtyrjen e vizave.

Por, për mundësinë e dështimit ka folur ish-kryeministri Isa Mustafa derisa ka akuzuar Haradinajn ditë më parë.

“Tani, në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, rreziku nga popullizmi i ka kaluar kufijtë e mashtrimeve dhe primitivizmit tonë. Ekziston frika reale se shtete të veçanta do të hezitojnë të përkrahin liberalizimin e vizave për Kosovën, duke u frikësuar nga popullistët, të djathtë e të majtë, në vendet e tyre, derisa të përfundojë procesi i zgjedhjeve në institucionet e BE, epilogu i të cilave është vështirë të dihet.

Individët, që sot flasin se liberalizimi mund të shtyhet deri në vitin 2020…” ka shkruar Mustafa.