Thursday, 13 December 2018 | Lajme: 22

Uragani godet Kubën dhe bëhet gati të zbarkojë në Florida

Uragani i radhës, i quajtur “Michael” ka goditur Kubën me reshje dhe erëra të forta. Stuhia pritet të zhvendoset në Florida dhe zona të tjera të Shteteve të Bashkuara, disa prej të cilave nuk janë rimëkëmbur ende nga uragani i “Florens” i muajit te kaluar.

Kështu, në Karolinën e Veriut mund të bien nga 2 deri në 7 centimetër shi, nivel ky që mund të shkaktojë përmbytje të reja, në një kohë kur zona nuk është rimëkëmbur nga uragani “Florens” që e goditi muajin e kaluar.

“Michael”, që është stuhia e 13’të e stinës, ka mbërritur tashmë në Kubë me shira të dendura dhe erëra të forta që arrijnë deri në 120 kilometra në orë.

Ekspertët e qendrës meteorologjike të Miami kanë paralajmëruar se stuhia do të vijojë të lëvizë në ujërat e ngrohta, duke rrezikuar të bëjë më agresive erërat. Gjithashtu, zona të Floridës mund të përjetojnë deri në 25 cm shira.

Guvernatori Rick Skot, që ndërpreu fushatën elektorale për në Senatin amerikan, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në 26 lokalitete të Floridës.

“Kjo stuhi rrezikon jetën e njerëzve dhe është jashtëzakonisht e rrezikshme”, ka thënë Skot. Ndërkohë, shira të dendura kanë përfshirë prej tre ditësh Amerikën Qendrore, kryesisht Nikaraguan, Hondurasin dhe El Salvadorin, duke shkaktuar vdekjen e 7 personave dhe dëme të rënda në infrastrukturë e të mbjella.