Wednesday, 19 December 2018 | Lajme: 0

Nesër ceremonia e ndarjes së çmimeve “Oskari i Artë Olimpik”

Nesër do të mbahet ceremonia solemne e ndarjes së “Pesë Oskarëve të Artë Olimpik”, në organizim të ish kampionit botëror dhe olimpik në mundje dhe sportistit më të mirë të Republikës së Maqedonisë në shekullin e 20-të, Shaban Tërstena.

“Duke marrë parasysh ëndrrën e madhe që e kam ndjerë thellë në shpirtit tim sportiv, pas një rruge të gjatë dhe të mundimshme, më në fund ia arrita qëllimin, që këtë ëndërr ta bëj realitet. Kështu, sot e përgjithmonë, emri im qëndron me dinjitet e krenari aty ku janë shkruar me shkronja të arta emrat e kolosëve të botës, në majën e Olimpit”, deklaroi ish kampioni botëror dhe olimpik.

Tërstena është shpallur kampioni më i ri në historinë e lojërave olimpike në moshën 19 vjeçare, prandaj dhe, siç thotë, ndjehet krenar që në 122 vitet e lojërave olimpike akoma edhe sot e kësaj dite mbetet zotërues i rekordit, si fituesi më i ri në moshë i medaljes së artë olimpike.

“Gjithashtu, katër vite më pas në olimpiadën e radhës në Seul në vitin 1988, sërish jam ngjitur në piedestal duke fituar këtë herë medaljen e argjendtë. Dy herë jam shpallur mundësi më i mirë në botë dhe Evropë, edhe atë në vitet olimpike 1984 dhe 1988, sportist i shekullit të 20-të në Republikën e Maqedonisë, shtatë herë sportist më i mirë i Maqedonisë dhe 10 herë sportist i Qytetit të Shkupit. Jam shpallur sportist më i mirë në ish Jugosllavi në vitin olimpik 1984. Përveç asaj që kam qenë kampion olimpik, kam qenë edhe fitues i shumë medaljeve në kampionate evropiane dhe botërore, ndërsa shumë herë kam qenë edhe kampion mesdhetar”, thotë Tërstena.

Ai shtoi se e ka kënaqësinë që që si një sportist i shekullit të 20-të, me ndarjen e çmimit Oskari i Artë Olimpik të shpreh mirënjohjen e tij për njerëzit që ishin për shumë vite afër tij në kohërat më të vështira dhe njëkohësisht e shpreh respektin për secilin që ka ditur të çmojë dhe vlerësojë suksesin e tij, e në veçanti vlerat olimpike.

Ceremonia solemne, e cila do të mbahet nesër në orën 11:45, në hotelin “Aleksandar Pallas” në Shkup, do të bëhet tradicionale duke ndarë çdo vit pesë oskarë olimpikë, që paraqesin simbolin e medaljes së artë olimpike për personalitete të veçanta.