Thursday, 18 October 2018 | Lajme: 2

Xhaferi: Propozimi për ndryshim të Kushtetutës arriti në Kuvend

Propozimi për qasje drejt ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë me drejtim për ndryshim dhe plotësim të saj që Qeveria e miratoi në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme tashmë arriti në Kuvend, konfirmoi sonte kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

“Sapo më arriti porosia se materiali është marrë në Kuvend. Ende nuk e kam parë tekstin, por shpresoj se është i njëjtë me atë që është publikuar në ueb-faqen e Qeverisë”, tha Xhaferi në emisionin “Top tema në anën tuaj” në TV Telma.

Në kontekst të Kushtetutës dhe Rregullores, theksoi, janë përcaktuar kompetencat dhe institucionet kompetente të cilat mund të ngrisin nismë për qasje drejt ndryshimeve kushtetuese.

“Presidenti i shtetit, Qeveria, 30 deputetë apo 150 mijë qytetarë me nënshkrime të tyre, me përfaqësues të autorizuar mund të ngrisin iniciativë për ndryshime kushtetuese dhe në nenin 194 të Rregullores është caktuar forma dhe përmbajtja e propozimit të vendimit për qasje, cilat elemente duhet t’i përmbajë. Atë që e pashë ndërkohë që është publikuar nga Qeveria dhe që është sjellë në Kuvend i përmbushë kushtet formale që të mund të ketë lëndë të ngritjes së procedurës në Kuvend. Në atë kontekst mendoj se gjithçka është legjitime, legale, ligjore, kushtetuese”, tha Xhaferi.

Saktësoi se pas arritjes së propozimit në Kuvend në afat prej tre ditëve duhet të konfirmohet nëse i përmban të gjitha elementet e nevojshme.

“Nëse shkojmë me procedurë të rregullt në afat prej tre ditësh duhet të shqyrtohet materiali prej aspektit formal dhe juridik, të konsultohem me shërbimet dhe nëse vendimi i ka të gjitha elementet t’ua dërgoj deputetëve. Këtë mund ta bëj edhe për një ditë. Në momentin që e dorëzoj materialin deri tek deputetët më së shpejti në procedurë të rregullt mund të konvokoj seancë plenare për 10 ditë pune. Në këto 10 ditë derisa zgjat pritja për seancën plenare duhet të konvokoj seancë të Komisionit për Çështje Kushtetuese ku jam kryetar për nga funksioni dhe ta shqyrtojmë propozimin e komisionit”, sqaroi Xhaferi.

Afatet, shtoi, mund të jenë edhe më të shkurtra.

“Në Komision deputetët mund të flasin më shumë herë, por jo më shumë se 20 minuta në total. Nëse më herët përfundon debati në Komision atëherë shkohet në seancë plenare”, tha Xhaferi.

Theksoi se procedura mund të jetë edhe urgjente me kërkesë të Qeverisë, të kryetarit apo të 20 deputetëve, por edhe kryetari i Kuvendit ka mundësi të vendos që seanca të jetë urgjente.

“Mund të konvokoj seancë edhe në afat më të shkurtër se 10 ditë. Duke e pasur parasysh se bëhet fjalë për tajming të cilin duhet ta plotësojmë lidhur me obligimet për ndryshime kushtetuese apropo Marrëveshjes dhe ftesës për anëtarësim në NATO, vlerësoj se nuk ka nevojë prej 20 nënshkrimeve të deputetëve. Për shkak të nevojës urgjente mund të konvokoj seancë edhe në afat më të shkurtër se 10 ditë me atë që duhet të mbaj llogari për punën e Komisionit për çështje kushtetuese. Nëse ndodh debati i Komisionit për çështje kushtetuese të zgjasë 10 ditë do të duhet që seanca plenare të anulohet derisa zgjat debati”, potencoi Xhaferi.