Thursday, 18 October 2018 | Lajme: 2

Oda Ekonomike: Pjesëmarrja e eksportit në BPV të rritet në 75 për qind

Më pak se pesë përqind nga ndërmarrjet vendore mikro, të vogla dhe të mesme realizojnë eksport në tregjet rajonale, ndërsa vetëm tre për qind janë të pranishme në ndonjërin prej tregjeve të Bashkimit Evropian sepse ende janë të kufizuara në mënyrë kadrovike, financiare dhe teknike, u tha sot në Odën Ekonomike të Maqedonisë.

Sipas Odës Ekonomike, pjesëmarrja e eksportit në BPV duhet të rritet prej 50 në 75 për qind, ndërsa për këtë nevojitet përmirësim i dukshëm i sektorit tregtar. Kapacitet më të madh për të pushtuar tregje të reja ose intensifikim të eksportit ekzistues kanë kompanitë nga sektori ushqimor, farmaceutik, kimik, i drurit, metalik dhe industrisë së mobiljeve,  si dhe tekstilit.

“Që të kemi eksport, së pari duhet të përfundojmë detyrat tona shtëpiake, të krijojmë produkt që do të jetë i dizajnuar në mënyrë adekuate, konkurruese dhe cilësore, sipas standardeve të vendit në të cilën eksportohet. Për këtë duhet të punojmë pak më shumë. Tregu botëror është vërshuar nga të gjitha vendet dhe produktet, por sukses kanë vetëm ato produkte me cilësi dhe çmim konkurrues”, theksoi kryetari i Klubit të Eksportuesve pranë Odës, Gligor Cvetanov në konferencën për shtyp.

Vlerësimi i tij është se firmat vendore investojnë në rritje, por jo me  tempin e investitorëve të huaj.

“Investitorët e huaj vijnë këtu në treg të gatshëm, ndërsa investitorët e Maqedonisë duhet të luftojnë për tregun dhe ky është dallim i madh. Kompanitë e huaja dhe nga Maqedonia duhet të bashkëpunojnë, të huajat t’iu ndihmojnë përmes prodhimeve të tyre një pjesë e eksportit të shkojë në atë treg”, tha Cvetanov.

Në lidhje me kriteret e nevojshme për eksport, Tatjana Shterjova nga Oda shtoi se për plasman të suksesshëm jashtë nevojitet përmbushja e një varg kërkesash: për paketim, etiketim, standardazim,… Firmat duhet të posedojnë informacione për nevojat e tregjeve dhe veçanërisht, për kanalet distributive.

“Vitet e kaluara është në vazhdimësi statusi i kompanive të cilat eksportojnë. Çështjet nuk i locojmë në ngjarjet ditore-politike, por në  faktor më të hollësishëm, afatgjatë të cilat ndikojnë në këtë segment”, potencon Shterjova.

Ngjashëm si në Maqedoni, është situata edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në përjashtim të atyre vendeve të cilat tashmë janë anëtare të BE-së. Këmbimi inter-rajonal  është deri në 12 për qind, ndërsa pjesëmarrja në BPV arrin jo më shumë se 37 për qind. Te vendet e Grupit të Vishegradit kjo përqindje është 80, ndërsa te vendet e BE-së nga rajoni i Ballkanit mbi 50.

Siç u tha në konferencën për shtyp, nga numri i përgjithshëm i personave juridikë të regjistruar në shtet, vetëm pesë për qind ose 3.500 kompani janë orientuar në eksport. Gjithsej 81 për qind janë në kategorinë e kompanive mikro dhe të vogla, 15,8 për qind janë të mesme, ndërsa vetëm 3,2 janë kompani të mëdha.

Edhe pse kompanitë mikro dhe të vogla janë eksportueset më të mëdha, kompanitë e mëdha janë motori që krijon madje 80 për qind të eksportit të përgjithshëm të mallrave në shtet. Vitin e kaluar Maqedonia ka realizuar mbi pesë miliardë euro eksport, që është rritje më e madhe në 10-të vitet e kaluara.

Sipas të dhënave statistikore zyrtare për këmbimin tregtar, 81,1 për qind nga produktet e eksportuara përfundojnë në tregjet në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ndërsa këmbimi tregtar me vendet e rajonit të CEFTA-s është 10-12 për qind. Partneri më i madh tregtar është Gjermania me të cilën Maqedonia shënon suficit në këmbim. Partnerë të mëdhenj tregtarë të vendit tonë janë edhe Bullgaria, Serbia, Greqia, Italia, Rumania, Spanja, Turqia dhe Britania e Madhe.

Oda Ekonomike e Maqedonisë informon se prej sot në ueb faqen e saj është në dispozicion Katalogu për eksportues me të dhëna të azhurnuara për kompanitë – anëtare të Klubit të Eksportuesve. Por, Katalogu është i hapur për plotësime eventuale të kompanive, produkteve dhe i tregjeve të reja eventuale. Janë përgatitur edhe një numër i caktuar i botimeve të shtypura të cilat do të shpërndahen deri te ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike në vend.