Thursday, 18 October 2018 | Lajme: 2

Serbia dhe Maqedonia do të ndërtojnë kalim të përbashkët hekurudhor, investimi 4,5 milionë euro

Zvogëlimi i kohës për udhëtim me tren, bashkëpunim më i mirë midis doganave dhe policisë kufitare, inspektimit finosanitar, të veterinarisë dhe atij radiologjik të Maqedonisë dhe të Serbisë parashikon projekti për ndërtimin e kalimit kufitar të përbashkët hekurudhor midis të dyja vendeve në vendkalimin kufitar Tabanoc që sot ishte prezantuar në BE-Infoqendrën.

Në projekt parashikohet ndërtimi i një objekti prej rreth 2.400 metra katrorë në vlerë prej rreth 4,5 milionë euro, ku do të vendosen të punësuarit në policinë kufitare, të drejtorisë doganore, të shërbimeve të inspektimit, si dhe kompanitë hekurudhore shtetërore nga Maqedonia dhe Serbia.

“Sistemi i përgjithshëm kufitar, duke i përfshirë edhe kontrollet e inspektimit, do të funksionojnë bashkërisht në atë objekt me çfarë do të mundësohet transport më i shpejtë dhe më efikas i mallrave dhe udhëtarëve”, tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugareski në prezantimin e projektit dhe paralajmëroi se me këtë trafiku hekurudhor për udhëtarë do të përshpejtohet për një orë, ndërsa ai transportues për dy orë.

Me projektin, siç theksoi, parashikohet ndërtimi edhe i rrugës së re të arritshme deri te kalimit hekurudhor, si dhe stacion i ri filtrues që të përmirësohet furnizimi me ujë dhe energji elektrike.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve theksoi se Qeveria deri në fund të vitit do të aplikojë për grant përmes instrumentit të kornizës investuese në Ballkanin Perëndimor të BE-së dhe shtoi se tashmë është marrë  mbështetje për sigurimin e mjeteve për investim nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Ambasadori evropian Samuel Zhbogar theksoi se bëhet fjalë për pilot-projekt për Ballkanin Perëndimor me të cilin, siç tha, do të përshpejtohet transporti i udhëtarëve dhe mallrave dhe do të tregojë se rajoni është i rëndësishëm për BE-në.