Thursday, 18 October 2018 | Lajme: 2

Bilanci më i ri i viktimave nga tërmeti në Indonezi: 1.407 të vdekur

Në tërmetin e fuqishëm dhe cunamin që të premten e goditën ishullin indonezian Sulavesi, sipas të dhënave të fundit, kanë humbur jetën 1.407 persona, kumtoi sot zëdhënësi i Agjencisë nacionale për përballje me katastrofa të Indonezisë, Sutopo Purvo Nugroho.

Numri më madh i viktimave janë nga qyteti Palu dhe nga vendi fqinj Dongala.

Sipas Nugroho, deri më tani janë varrosur vetëm 510 nga personat e vdekur.

Në tërmet janë shkatërruar më shumë se 650.000 objekte, ndërsa janë shpërngulur më shumë se 60.000 njerëz, të cilët kanë nevojë për ndihmë të domosdoshme.

Ndërkohë, autoritetet indoneziane sistemuan pjesëtarë shtesë të forcave të sigurisë në Palu, me qëllim që t’i mbrojnë objektet infrastrukturore kyçe, si aeroporti, dhe të parandalojnë vjedhje.

Palun sot e vizitoi edhe presidenti indonezian Xhoko Vidodo, i cili theksoi se në rajone të caktuara ka arritur ndihmë nga vendet e huaja.

Të paktën shtatë kargo aeroplanë kanë ateruar në aeroportin në Palu duke sjellë tonë ndihmë humanitare. Në aeroplane shkruante “Ndihmë për presidentin e Republikës së Indonezisë”.

Pesë ditë pas tërmetit katastrofik dhe cunamit, sot ka eruptuar edhe vullkani Soputan, i cili ndodhet në pjesën veriore të ishullit, në rreth 60 kilometra në verilindje të Palus. Deri më tani nuk ka raporte për viktima eventuale ose dëm të shkaktuar materiale gjatë erupsionit.