Thursday, 18 October 2018 | Lajme: 32

Sulm i dyshuar vetëvrasës në Afganistan, 13 të vdekur

Zyrtarët kanë thënë se të paktën 13 persona janë vrarë dhe dhjetëra tjerë janë plagosur në një sulm të dyshuar vetëvrasës, i cili është kryer në një tubim, në kuadër të fushatës zgjedhore në lindje të Afganistanit.

Udhëheqësi i Departamentit të Shëndetësisë në Provincën Nangarhar, Najibullah Kamawal, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se 13 persona janë konfirmuar të vdekur në sulmin e 2 tetorit, derisa të paktën 40 të tjerë janë plagosur.

 Zëdhënësi i po kësaj province, Attaullah Khoyani, ka thënë se sulmuesi ka shënjestruar një tubim politik të Nasir Momand, i cili është duke garuar për deputet.

“Shumica e personave të vrarë kanë qenë në moshë të vjetër, të cilët ishin mbledhur për fushatë”, ka thënë Khogyani.

Momand është duke garuar si kandidat i pavaur në zgjedhjet parlamentare në Afganistan, të cilat do të mbahen më 20 tetor.

Mirëpo ende nuk është bërë e qartë nëse votimet do të mbahen në zonat e kontrolluara nga militantët talibanë.

Ende, asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në provincën, e cila ka qenë cak i sulmeve të talibanëve dhe militantëve të grupit ekstremist, Shteti Islamik.

Fushata ka nisur më 28 shtator, në të cilën janë duke garuar 2,565 kandidatë, në parlamentin me 249 ulëse.

Deri më tani pesë kandidatë janë vrarë në sulme të ndara para se të niste fushata zyrtarisht.

Zgjedhjet do të mbahen vetëm për Dhomën e Ulët të parlamentit.