Thursday, 18 October 2018 | Lajme: 32

Tasevska: Referendumi hap i Maqedonisë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE

Anëtarësimi në BE dhe NATO do të mundësojë investime, të cilat do të hapin vende të reja të punës dhe në atë mënyrë do të ndërpritet trendi i shpërnguljes së të rinjve, tha në konferencën e sotme për shtyp, deputetja Lidija Tasevska dhe u bëri thirrje qytetarëve ta përkrahin referendumin.

Ajo potencoi se në Bullgari dhe Rumani pas hyrjes në BE dhe NATO, rrogat mesatare janë rritur, ndërsa papunësia u zvogëlua në pesë, respektivisht katër për qind. Rritje të punësimit te të rinjtë është vërejtur edhe në Kroaci prej 26 deri 43 për qind. Tasevska potencoi se edhe në Maqedoni ndjehen përfitimet nga perspektivat e BE-së dhe NATO-s, duke bërë me dije se në gjysmën e parë të vitit ka hyrje të investimeve të drejtpërdrejta të huaja prej 327 milionë euro, që tha se është tri herë më shumë se vitin e kaluar, u zvogëlua shkalla e papunësisë në nivelin më të ulët deri tani dhe ka rritje të rrogës mesatare.

“A mund të paramendoni si do të duken këta tregues ekonomikë pas hyrjes në NATO? Me qasje të përkushtuar në zbatimin e politikave, me anëtarësimin e shtetit në BE dhe NATO, papunësia në mënyrë të përshpejtuar do të ulet, ndërsa rrogat do të rriten. Këto janë shkaqet e fuqishme që të rinjtë të mbeten në Maqedoni”, tha Tasevska.

Ajo theksoi se më 30 shtator, qytetarët e kanë mundësinë historike për inkuadrim të Maqedonisë në shoqërinë e vendeve të zhvilluara dhe shtoi se duhet të dilet, të votohet dhe të përkrahet referendumi.