Wednesday, 12 December 2018 | Lajme: 0

Forum i LIBSEEN: Rrjetëzimi i liberalëve i rëndësishëm për demokracinë në rajon

Liderë të rajonit, si dhe eurodeputetë, sot në Shkup marrin pjesë në forumin e Rrjetit Liberal të Evropës Juglindore (LIBSEEN) me rastin e dhjetëvjetorit të formimit të tij, në të cilin flasin për bashkëpunimin e vendeve të rajonit dhe perspektivat e liberalizimit, si dhe përshpejtimin e proceseve integruese të vendeve të EJL-së në NATO dhe BE.

Kryetari i PLD dhe deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, Goran Milevski, i cili është edhe organizator i ngjarjes, në hapjen e Forumit tha se ai ka për synim ta përforcojë rrugën e vendit drejt partnerëve strategjikë NATO dhe BE.

“Në hapësirat konservatore ballkanike është vështirë të bëhesh liberal dhe prandaj PLD-ja si pjesë e koalicionit qeveritar u përpoq të bëjnë ndryshime strukturore që do të thotë demokratizim dhe liberalizim të shoqërisë. Me hapat tona kemi për qëllim ta përforcojmë rrugën e gjeneratave të ardhshme për të punuar në përmirësimin e të gjitha sferave në shoqëri”, tha Milevski.

Роман Јаќич

Kryetari i LIBSEEN, Roman Jaqiç, tha se sot në Evropë, vlerat liberale janë të rrezikuara, ata në disa vende madje edhe nuk zbatohen, ndërsa në shtetet ku janë zbatuar tani janë nën kërcënimin e lëvizjeve ksenofobike ose retorikës ksenofobike.

Lidhur me referendumin e ardhshëm në Maqedoni, Jaqiç tha se ai do ta hapë rrugën për një të ardhme më të ndritshme të vendit.

Jaqiç mendon se rrjetëzimi dhe këmbimi i shpejtë i informacioneve, që do të mundësojë reagim të shpejtë, është i rëndësishëm për grupet liberale në rajon.

“Rrjetëzimi i LIBSEEN është një prej gurëve të vegjël në mozaikun për luftën për demokraci në rajon”, vlerësoi Jaqiç.

Vesna Pusiq nga radhët e Partisë popullore kroate-liberalët demokratë (HNS) dhe ish-shefe e diplomacisë kroate thotë se vlerat liberale çdoherë kanë qenë mbrojtje e të drejtave të pakicave, qeverisjes së të drejtës, luftës për demokraci, lirisë së shprehjes.

Sipas saj, liberalëve u duhet një koncept i ri, një thirrje e re që do t’i garantojë njerëzit për këto ide liberale dhe kjo do të arrihet përmes përforcimit të arsimit.

Kryetari i Partisë serbe liberale-demokratike, Çedomir Jovanoviq tha se ardhmëria e liberalëve është në Evropë dhe kjo varet nga vetë ata.

Jovanoviq tha se dëshiron ta shohë tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor në luftën e përbashkët në proceset reale të eurointegrimeve.

LIBSEEN është themeluar në vitin 2008 në Shkup si iniciativë për grumbullimin e partive politike në rajon dhe kontribuon ndaj zhvillimit të rajonit përmes zbatimit të politikave liberale në sistemet politike të këtyre vendeve.