Friday, 16 November 2018 | Lajme: 32

Debat: Alternativa e vetme e Maqedonisë është BE-ja

Edhe pse Bashkimi Evropian ka shumë sfida të mëdha para vetes, zgjidhja për Maqedoninë nuk është më e mira, megjithatë është e vetmja, nëse dëshirojmë një të ardhme më të mirë. Kjo u tha në tribunën më temë “Evropa mes krizave dhe reformave – Republika e Maqedonisë në kontekstin e ri të zgjerimit”.

“Kjo është mundësi historike për vendin, e cila nuk do të përsëritet. Negociatat e BE-së janë proces i cili kërkon profil të lartë ekspertësh. Qeveria duhet ta ketë parasysh formulën e suksesshme të Sllovenisë 1998-2004, si lidhje të pjesës administrative institucionale me pjesën e ekspertëve të shoqërisë civile”, theksoi profesori i universitetit, Blerim Reka.

“Ajo çka i duhet Maqedonisë është integrimi dhe pranimi i një pjesë të mirë të atyre vlerave të cilat të cilat aspak nuk janë të përkryera, por janë parametra që do të kontribuojnë për tejkalimin e zbrazëtirave apo zonave të zeza që ekzistojnë edhe tani në shoqërinë maqedonase”,- theksoi profesori i universitetit, Trpe Stojanovski.

Shoqëria jonë është e fragmentuar dhe e ndarë, andaj mundohemi të krijojmë një tërësi dhe të punojmë në reforma. Deri më tani, BE-ja nuk ka treguar interes më të madh për anëtarësim se sa tani dhe kjo mund të ndihmojë në stabilizimin e rajonit dhe ndërtimin e standardeve, tha Mileva Gjurovska nga Lëvizja Evropiane në Maqedoni.

“Shoqëria jonë në përgjithësi është e fragmentuar, e ndarë në baza të ndryshme politike, religjioze, etnike dhe nga kjo situatë ku ndodhemi, më duket se është humbur tërësia e vet shoqërisë. Mundohemi me të gjithë aktorët pozitë – opozitë, përfaqësues të grupeve etnike, ekspertë nga të gjitha fushat dhe me të vërtetë në një farë mënyre jemi në rrugë të krijojmë tërësinë dhe të krijojmë relacion për konkluza konkrete, që kanë të bëjnë me reformat”, deklaroi kryetarja e Lëvizjes Europiane në Maqedoni, Mileva Gjyrovska.

Maqedonia, në mënyrë strategjike është drejt BE-së, ndërsa këtë e dëshiron edhe opinioni publik, u tha me këtë rast.