Wednesday, 19 September 2018 | Lajme: 44

Aksione për pastrim në sheshin e Shkupit dhe në komunën Butel

Në sheshin e qytetit në Shkup dhe Komunën e Butelit sot do të organizohen aksione për pastrim me rastin e Ditës botërore të pastrimit global – 15 shtatori.

Aksioni  në rajonin qendror të qytetit, është nën moton “Përgjegjësia është e jona, së bashku për Shkup më të pastër”, ndërsa pas saj qëndron administrata e NP “Higjiena komunale”.

“Në këtë mënyrë duam të tregojmë se pastërtia dhe higjiena e qytetit të Shkupit  nuk varen vetëm nga ekipet e NP ‘Higjiena komunale’, të cilët njëherë gjatë ditës i zbrazin shportat e mbeturinave dhe i pastrojnë sipërfaqet publike. Të gjithë qytetarët në kryeqytet me sjelljen e tyre të ndërgjegjshme dhe me trajtimin e tyre të mbeturinave personale kontribuojnë për mbrojtje të rrethinës sonë jetësore”, thotë drejtori i NP “Higjiena Komunale” Abdulsamet Shabani.

Ai apelon që qytetarët t’i hedhin mbeturinat vetëm në shporta dhe kontejnerë, dhe në qendrat për selektim që të mos krijojnë deponi të paligjshme dhe të ndihmohet në mbajtjen e higjienës në Shkup dhe në mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Të punësuarit në administratën komunale Butel, do të pastrojnë rreth ndërtesës komunale, ambulancës, përmendores, parkut, parkingjeve, tregut, shkollës, kopshteve, qendrës tregtare…, aksione do të ketë edhe në të gjitha shkollat fillore në territorin e komunës.