Thursday, 15 November 2018 | Lajme: 0

Eurodeputetët u ngritën në këmbë dhe e duatrokitën fjalimin e Zaevit në Parlamentin Evropian (VIDEO)

“BE dhe NATO do të na ndihmojë që ta forcojë ekonominë, standardin më të mirë për gjeneratat e ardhshme, garancinë për pavarësi, lirinë dhe demokracinë, por edhe shëndetësinë, arsimin dhe infrastrukturën, ndërkaq ne do t’ia japim NATO-s dhe BE-së lojalitetin tonë”, porositi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, nga fjalimi i sotëm në Parlamentin Evropian të Strasburgut, njofton Portalb.mk.

“Anëtarësimi në këtë familje, do të ketë më shumë stabilitet dhe prosperitet të brendshëm. Më vjen mirë që jam kryeministri i parë i Maqedonisë që flet në gjuhën amë në Parlamentin evropiane, në shtëpinë që ne i përkasim. Bashkimi Evropian për ne nuk është vetëm ekonomi më e mirë, por edhe mënyrë e jetesës, ku do të sundojë ligji njëjtë për të gjithë. Tani qytetarët e vendit e kanë mundësinë që ta lëshojmë të kaluarën dhe të ecim përpara. Qytetarët e Maqedonisë dhe Greqisë, e kanë mundësinë të zgjedhin. Referendumi i 30 shtatorit është më shumë se referendum për Marrëveshjen e Prespës, është referendum për të ardhmen”, tha Zaev.

Ai gjithashtu shtoi se po lufton kundër izolimit të vendit, ndërkaq tha se Maqedonia është shembull se si të zgjidhen kontestet me vendet fqinjësore.

Qytetarët e dinë se çfarë referendumi, do të jemi Repbulika e Maqedonisë së Veriut, me identitet dhe gjuhë të pranuar, i dimë të gjitha përfitimet, dhe e dimë se kjo është mundësi një herë për gjithmonë, do ta shfrytëzojmë këtë mundësi. Ne po luftojmë me konflikte të brendshme, po luftojmë të mos izolohemi, kemi pasur konflikte edhe me fqinjët tanë, por asnjëherë ne nuk i kemi humbur vizionet tona dhe nuk kemi hequr dorë. Ne besojmë në ardhmërinë, si vend i respektuar i familjes evropiane. Jemi krenarë me marrëveshjet historike të Maqedonisë me Greqinë dhe Bullgarinë, ne jemi rrëfim pozitiv për Evropën. Marrëveshja e Prespës është model i shkëlqyer për zgjidhjen e kontesteve dhe mund të merret si shembull edhe për vendet tjera”, shtoi Zaev.

Ai gjithashtu tha se Qeveria po bën përpjekje për realizimin e reformave në të gjitha fushat, si në sistemin e administratës, luftës kundër korrupsionit, sundimi i ligjit e kështu me radhë.

Zaev i falënderoi përfaqësuesit e PE-së për mbështetjen e dhënë në lidhje me çështjen e referendumin, ndërkaq në fund të fjalimit, eurodeputetët bashkë me kryeparlamentarin evropian, Antonio Tajani dhe përfaqësuesen e BE-së për Politikë të Jashtëm dhe Siguri, Federica Mogherini, u ngritën në këmbë dhe e duartrokitën për disa minuta.