Wednesday, 19 September 2018 | Lajme: 44

Shkëndija eliminohet nga Liga e Kampionëve, vazhdon aventurën në Europa Ligë

Kampioni i Maqedonisë, Shkëndija e Tetovës është eliminuar nga Red Bull Salzburg në rrethin e tretë të Ligës se Kampionëve. Ata kanë humbur sot në Shkup kundër Salzburgut 0-1, kurse në ndeshjen e parë austriakët kanë fituar me rezultat 3-0

Aventura e Shkëndijës në Ligën e Kampionëve ka përfunduar sonte.

Ajo është eliminuar nga kjo garë nga kampioni i Austrisë Red Bull Salzburg me rezultat të përgjithshëm 4-0.

Pjesa e parë ishte shumë më e mirë për Shkëndijën që rrezikuan portën disa herë por pa rezultat pasi që austriakët u mbrojtën mirë.

Në pjesën e dytë po ashtu ishte njëjtë me disa aksione të cilat përfundonin pa konkretizim.

Në përgjithësi, Shkëndija pati 16 përpjekje për gol, ku pesë përfunduan brenda kornizave të portës, kundrejt 11 të austriakëve, katër brenda kornizës së portës.

Salzburg ka shënuar në fund të ndeshjes, në minutën e dytë shtesë me anë të Andre Ramalho Silva.

Me kaq, Shkëndija aventurën e saj në Europë do ta vazhdojë në Europa Ligë.

Ata janë vetëm dy ndeshje larg kësaj ëndrre dhe duhet ta kalojnë fituesin e ndeshjes Rosenborg – Cork, e cila ndeshje zhvillohet këtë të enjte.

Nëse Shkëndija e fiton këtë ndeshje do të luaj në fazën e grupeve të Europa Ligës.