Wednesday, 12 December 2018 | Lajme: 0

UNDP e filloi ndërtimin e kopshtit të ri në Shuto Orizare

Me vendosjen e gurthemelit simbolik të kopshtit të ri “8-të Prilli”, Programi për zhvillimin e Kombeve të Bashkuara (UNDP) ka filluar ndërtimin e objektit të ri në vlerë prej 700.000 dollarë, të siguruar nga Qeveria e Mbretërisë së Norvegjisë.

“Jemi të kënaqur që kishim mundësinë të përfshihemi dhe të ndihmojmë në këtë projekt të rëndësishëm për bashkësinë ku fëmijët përballen me rrezikun real të ngecin në të arriturat arsimore dhe mundësitë jetësore që nga mosha më e vogël”, ka thënë ambasadori i Mbretërisë norvegjeze, Arne Sans Bjornshtand.

Luiza Vinton, përfaqësuese e përhershme e UNDP-së tha se po transformojnë katastrofën në mundësi me atë që të zgjerojnë kapacitetet e për kujdesin e fëmijëve.

“Qëllimi jonë është përmbushja e parimit ‘përsëri të ndërtohet më mirë’, ka thënë Vinton.

Nga ana tjetër, Ministrja për Punë dhe Politikë Sociale, Milla Carovska ka deklaruar se mundësia e kushteve për zhvillim më të mirë të të gjithë fëmijëve është prioritet i lartë i Qeverisë.

“Qëllimi jonë është në vazhdimësi të rrisim kapacitetet nëpër kopshtet e fëmijëve në vend, por edhe të përmirësojmë cilësinë e programeve dhe të kyçim numër më të madh të fëmijëve që deri tani nuk kishin mundësi të vizitojnë kopshte. Deri tani janë hapur 11 objekte të reja, ndërsa deri në fund të vitit 2018 është paraparë të hapen edhe 8 të tjera. Punojmë edhe në forcimin e kapaciteteve kadrovike, pra prej 1.01. 2018. Ministria ka siguruar pajtueshmëri financiare për punësimin e 789 personave në kohë të pacaktuar dhe 50 punësime në kohë të caktuar në kopshte”, ka thënë Carovska.

Projektin e realizon UNDP në partneritet me Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale dhe Komunën e Shuto Orizares, ndërsa planifikohet ndërtimi të përfundojë deri në mars të vitit 2019.