Wednesday, 12 December 2018 | Lajme: 0

Në Shqipëri 70 për qind e të rinjve dëshirojnë ta braktisin vendin

Në qoftë se u jepet edhe një mundësi më e  vogël madje 70 për qind e të rinjve do ta braktisnin Shqipërinë dhe do të shkonin në ndonjë vend të Bashkimit Evropian.

Këta tregues alarmantë janë pjesë e raportit të publikuar nga ana e Rrjetit kombëtar për të rinj i Shqipërisë (ANYN) dhe CRSA Shqipëri, në vigjilje të Ditës botërore të të rinjve, 12 gushti.

Altin Hazizaj, kryetar i CRSA thotë se kjo tendencë është në rritje të vazhdueshme dhe se raporti ka evidentuar se të rinjtë në gjithë territorin e vendit ballafaqohen me mungesë të politikave sociale dhe ekonomike.

“Më shumë se shqetësues është fakti se mbi 70 për qind e të rinjve dëshirojnë të emigrojnë në vendet e Bashkimit Evropian. Qytetarët e Shqipërisë nuk shikojnë perspektivë në vendin e tyre dhe jetën dhe progresin e tyre e shikojnë në ndonjë vend tjetër”, thotë Hazizaj.

Një prej arsyeve që të rinjtë dëshirojnë të largohen dhe e shikojnë ardhmërinë e tyre jashtë vendit është papunësia. Studimi i fundit i Organizatës Botërore të Punës e vendosë Shqipërisë në vendin e parë sipas nivelit të papunësisë së të rinjve.

“Në qoftë se e lidhim këtë me të dhënat e Organizatës Botërore të Punës, ILO, ku thuhet se 32 për qind e të rinjve në Shqipëri janë të papunë, atëherë qeveria shqiptare ka dështuar kur bëhet fjalë për të rinjtë në Shqipëri”, shton Hazizaj.

Me rastin e Ditës botërore të të rinjve, CRSA dhe Rrjeti kombëtar për të rinj mes tjerash kërkojnë nga Qeveria shqiptare që ta realizojë premtimin për ndarje nga buxheti të fondit të posaçëm për realizim të planit të veprimit për të rinjtë.