Tuesday, 14 August 2018 | Lajme: 27

Konsumatorët në Maqedoni nuk janë të informuar për të drejtat e tyre ligjore

Nga Organizata e konsumatorëve të Maqedonisë informojnë se nga numri i përgjithshëm i ankesave për shkeljen e të drejtave të konsumatorëve që kanë pranuar, telefonët celularë dhe lavatriçet janë mjetet më të shpeshta për parregullsi në funksionimin e të cilave ankohen qytetarët e vendit.

“Pjesa më e madhe e ankesave ka të bëjë me probleme të prodhimeve teknologjike në lidhje me atë se janë të riparuara tri herë që është maksimumi ligjor pas të cilit konsumatorit i takon të marrë produkt të ri”, tha Pavle Kostovski, këshilltar juridik në Organizatën e konsumatorëve të Maqedonisë.

Nga kjo organizatë vlerësojnë se qytetarët në Maqedoni nuk janë të informuar sa duhet për të drejtat e tyre si konsumatorë. Për përmirësim të kësaj gjendje, në kuadër të Programit për mbrojtjen e konsumatorëve organizohen konferenca dhe përgatiten broshura në formë elektronike dhe të shtypur, ku konsumatorët mund të informohen më tepër për të drejtat e tyre.

Nga fillimi i këtij viti në Organizatën e konsumatorëve kanë arritur rreth 900 ankesa nga blerës ose shfrytëzues të shërbimeve në Maqedoni.