Saturday, 20 October 2018 | Lajme: 0

Bujqit e përgënjeshtrojnë MBPEU-në: Çmimi i grurit maksimum 8,5 denarë

Nuk është e saktë se çmimi blerës i grurit lëviz  prej nëntë deri në 10,5 denarë për kilogram siç kumtoi dje Ministria e Bujqësisë. Nuk kemi takuar deri tani  dikë të paguajë më shumë se 8,5 denarë me TVSH, reagojnë sot prodhuesit.

Ata druajnë se për shkak të llogaritjeve të tilla të ndryshme të Ministrisë,  nuk do të marrin përkrahje shtetërore si kompensim  për dallimin mes  çmimit  prodhues dhe shitës, që ishte rast  në dy vitet paraprake. Njëherësh mbeten në qëndrimin se çmimi blerës duhet të jetë dhjetë deri në 12 denarë për kilogram.

“Nuk e di prej ku i ka këto të dhëna MBPEU. Dje bisedova me prodhuesit e Prilepit, Manastirit, Ovçe Poles. I dëgjova edhe përfaqësuesit e Lidhjes së bujqve, shoqatës rajonale “Klas”, Federatës kombëtare të fermerëve, shoqatës “Ovçepolski farmer”. Të gjithë kanë pothuajse deklarata identike për çmimet e grurit. Prej shtatë deri në tetë denarë është çmimi në terren, pavarësisht llojit të pagesës dhe cilësisë. Nuk kemi takuar deri tani dikush të paguajë  më shumë se 8,5 denarë me TVSH.  Bisedova edhe me mullisët, ata deri tani nuk kanë blerë grurë nga bujqit për më shumë se 8,5 denarë”, deklaroi për MIA-n kryetari i Asociacionit të Bujqve, Eftim Shaklev.

Sipas tij, 10,5 për qind është  çmim joreal dhe mund ta japë, nëse shet, vetëm KB Pellagonia dhe atë te mullinjtë e tij, por ajo nuk ka kurrfarë ndikimi ndaj formimit të çmimit blerës për bujqit.

“Me Ministrinë nuk kemi llogaritje të njëjtë edhe në krahasim me çmimin prodhues. Ministria thotë se është 9,14 denarë për rendimente mesatare prej 3,5 tonë, ndërsa ne pohojmë se është 10 denarë sepse rendimentet nuk janë 3,5 tonë, por tre tonë për hektar. Do të thotë, 10 denarë për hektar. Në rast të tillë,  në mospërputhje të çmimeve me Ministrinë,  kur të kërkojmë përkrahje si një lloj pagese për dallim në çmimin prodhues dhe blerës, nuk do të marrim, sepse ne do të dalim me një çmim, ndërsa MBPEU me  tjetër” sqaron Shaklev.

Edhe kryetari i “Ovçepolski farmer” Angel Stojçev, i cili përfaqëson 3.000-4.000 prodhues  nga Shën Nikolla, thotë se çmimi blerës i grurit është maksimum 8,5 denarë. Ai tregon edhe se prodhimtaria e tërësishme  veçmë është blerë, vetëm dhjetë për qind  kanë mbajtur prodhuesit për nevoja personale.

Edhe Memet Sinani nga Federata kombëtare e fermerëve pohoi se çmimi blerës  i grurit është më së shumti 8,5 denarë për kilogram. Diku madje paguhet edhe  nga gjashtë denarë minimale.

“Javën e kaluar patëm takim me fermerët e rajonit të Pollogut, Prespës dhe të Shkupit në Prilep në të cilën edhe njëherë u shqyrtuan gjendjet  me grurin  për këtë vit. Ishin theksuar këto çmime që ua ofrojnë blerësve dhe mullisëve, prej gjashtë deri në 8,5 denarë.  Ne prodhuesit theksuam se  nëse deri në fund të shtatorit nuk definohet çmimi dhe nuk firmosim marrëveshje, nuk do të mbjellim grurë, sepse nuk na paguhet”, përmend Sinani dhe plotëson se  në rajonin e Velesit dhe Pollogut  për momentin ka ngecje të blerjes.

Qëndrimi i Federatës është se sipas Ligjit për bujqësi dhe zhvillim rural duhet të vendoset  blerje ndërhyrëse dhe të definohet  çmimi ndërhyrës i grurit me vendim të Qeverisë  në propozim të Ministrisë së Bujqësisë kur çmimi  prodhues  është më i lartë se ai blerës.

“Këtë vit ajo ndodh në Maqedoni, çmimi prodhues është prej  9,14 deri në 11 denarë për kilogram, ndërsa  blerës nën 8,5 denarë. Sipas çmimeve të bursës, Maqedonia ka çmim  më të ulët blerës për grurin në rajon e cila lëviz prej 7 deri në 8,5 denarë. Në Kroaci është 8,84 në Serbi është 9,12, në Bullgari 10,55 denarë për kilogram”, thekson Sinani.