Monday, 19 November 2018 | Lajme: 40

Komisioni për çështje evropiane do të mbajë seancë për Kodin Zgjedhor

Kryetari i Komisionit për çështje evropiane pranë Kuvendit të Maqedonisë Artan Grubi informoi se e caktoi seancën e 21-të të Komisionit për çështje evropiane për sot me fillim në orën 17:30 në Sallën Boris Trajkovski.

Pikë e vetme e rendit të ditës është Propozim-ligji për ndryshim të Kodit Zgjedhor, me procedurë të shkurtuar, njoftuan nga Komisioni kuvendor.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Talat Xhaferi, në bazë të nenit 117, paragrafi 1 nga Rregullorja e Kuvendit të RM-së, në seancën e djeshme të Kuvendit i obligoi Komisionin për çështje evropiane, si trup amë pune dhe Komisionin juridiko-ligjdhënës, të debatojnë për ligjin.

Me ndryshimet e Kodit Zgjedhor, të cilat i kundërshton partia opozitare VMRO-DPMNE, propozohet që KSHZ-ja të zgjidhet me 61 deputetë, në vend që me dy të tretën e shumicës dhe Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve të mos e shikojë propozim-ligjin. Formimi i KSHZ-së është temë e bisedimeve edhe në takimin e liderëve që duhet të vazhdojë të dielën ose të hënën.