Tuesday, 18 December 2018 | Lajme: 25

Thaçi, Vuçiq dhe Mogerini në Bruksel e shqyrtuan përparimin e dialogut

 Përfaqësuesja e lartë e BE-së për punë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini dhe presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq sot në Bruksel e shqyrtuan përparimin  e bisedave për normalizimin e marrëdhënieve.

Siç publikoi Komisioni Evropian pas mbledhjes, është dakorduar që rrethi i ri i dialogut politik, në nivel më të lartë të mbahet për disa javë, që të vazhdojnë të punojnë në këtë çështje.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas përfundimit të takimit ka thënë se ky ishte takim i vështirë.

 

“Sapo e mbyllëm takimin me Mogerinin me të cilën diskutuam për të ardhmen evropiane të Kosovës, normalizimin e raporteve dhe arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë. Marrëveshja përfundimtare duhet të jetë për fqinjësi të mirë dhe paqe e stabilitet në Ballkan dhe për tu integruar në NATO dhe BE. Pas kësaj zhvilluam takim në nivel presidentesh, ka qenë takim i shkurtë jo i lehtë, më i shkurti dhe më i rëndi nga takimet që kemi zhvilluar në gjashtë vitet e fundit”, u shpreh Thaçi.

Ai shtoi se ende sheh dritë në fund të tunelit, edhe pse sipas Thaçit do të jetë jashtëzakonisht vështirë.

“Serbia ende e sheh Kosovën pjesë të saj. Presidenti Vuçiq dhe Serbia duhet ta kuptojnë që Kosova është shtet sovran. Do të punojmë që të arrijmë marrëveshjen përfundimtare që do të jetë në të mirë të dyja vendeve, mirëpo do të kemi vështirësi edhe më të mëdha në ditët dhe muajt e ardhshëm”, tha Thaçi.

Ndërkaq, presidenti serb Vuçiq pas mbledhjes  deklaroi se bisedat e sotme nuk ishin të lehta dhe se ekzistojnë dy punë rreth të cilave është arritur marrëveshja.

“Njëra është bisedat t’i vazhdojmë dhe të mundohemi të gjejmë emërtues të përbashkët të zgjidhjes kompromise, ndërsa puna e dytë është ta ruajmë paqen dhe stabilitetin në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit”, deklaroi Vuçiq.

Ai theksoi se është thënë në një fjali “Shqiptarët dhe Hashim Thaçi duan dhe kërkojnë gjithçka për Shqiptarët, derisa Beogradi mundohet të gjejë zgjidhje kompromisi në të cilën asnjëra palë nuk do të ishte përulur”.

Në lidhje me pranimin e pavarësisë së Kosovës, Vuçiq ka potencuar se  në bazë të përditshme ka bisedë për arritje të zgjidhjes së kompromisit.

Vuçiq deklaroi se në bisedat janë “ndërmarrë hapa të caktuar teknike” me qëllim që në Kosovë të mos vjen sërish deri te incidentet, të tilla siç ishin më parë.

Në lidhje me hapat e ardhshëm të cilat i pret në dialog, Vuçiq deklaroi se është e papranueshme ndërprerja e bisedave dhe gjithçka t’u lihet emocioneve dhe zgjidhjes me pasione.