Tuesday, 14 August 2018 | Lajme: 28

Pothuajse 4.000 kompani greke në rrezik ta humbin termin Maqedonia nga emri ose prodhimet e tyre

Kryetari i Federatës së industrive nga Greqia Veriore, Atanasios Savakis, apelon që kompanitë greke në emrin ose prodhimet e të cilave është i përfshirë termi Maqedonia ose fjalët që dalin prej këtij termi ligjërisht ta sigurojnë emrin para se të fillojë me punë komisioni për shenja tregtare, në pajtueshmëri të Marrëveshjes së Prespës, që të mos ballafaqohen me probleme në tregun ndërkombëtar, por edhe që të mos pësojnë dëme ekonomike.

Duke folur para gazetarëve grekë, Savakis, njofton korrespondenti i MIA-s nga Athina, ka thënë se pothuajse 4.000 kompani greke rrezikojnë ta humbin emrin, ndërsa nga këto vetëm 24 e kanë bërë regjistrimin e nevojshëm, por në regjistrin evropian.

“Siç zbuloi kryetari i Federatës së industrive nga Greqia Veriore, Atanasios Savakis, kompanitë që e shfrytëzojnë termin Maqedonia nëse në identitetin e tyre korporativ ose në prodhimet e tyre, do të duhet, para se të fillojë procesi i formimit të Komisionit që do t’i shqyrtojë shenjat konkrete dhe e cila është paraparë me Marrëveshjen e Prespës, menjëherë të reagojnë që ta sigurojnë, në nivel ndërkombëtar, emrin e tyre”, shkruan gazeta greke “To vima”.

Sipas kryetarit të Federatës, regjistrimi i nevojshëm në organizatën botërore në Gjenevë, tanimë e kanë bërë dy kompani nga Maqedonia, ndërsa çmimi i lartë prej 8.000 euro është arsyeja se pse kompanitë nuk e kanë siguruar edhe ligjërisht emrin e tyre ose emrin e prodhimeve të tyre.

Që t’u ndihmojë kompanive, Federata, sipas mediave greke, ka ndërmarrë iniciativë për ndihmë falas juridike dhe procedurale për të gjithë bizneset e interesuara.

Lidhur me zgjidhjen midis Maqedonisë dhe Greqisë, Savakis ka thënë se çdo marrëveshje ka anë negative dhe pozitive, por çështja duhej të zgjidhet për shkak se shumë i kushtonte kompanitë greke, posaçërisht ato nga pjesa veriore e vendit. Ka shtuar se marrëveshja krijon parakushte për rritje të investimeve në Shkup, por edhe se porti në Selanik hap perspektiva të mëdha.

“Nuk mundet që austriakët dhe gjermanët të marrin pjesë, posaçërisht në prodhimet ushqimore-bujqësore, ndërsa ne që jemi në 30 kilometra nga kufiri të mos mundemi”, ka thënë Savakis, sipas “Katimerini”-t dhe ka shtuar se shumë kompani të cilat kanë dashur të eksportojnë tek ne, këtë e kanë bërë përmes Shqipërisë ose Bullgarisë, që në mënyrë plotësuese e ka rritur shpenzimin e tyre.