Sunday, 15 July 2018 | Lajme: 14

Ministri i Ekonomisë e ka promovuar aplikacionin për zhvillim të turizmit në Maqedoni

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi  sot e ka promovuar aplikacionin “Visit Macedonia”, që do të shërbejë për promovimin e turizmit në vend.

“Turizmi në Republikën e Maqedonisë është sektori i vetëm, që në 9 vitet e fundit ka shënuar rritje të vazhdueshme deri 100 përqind.  Kështu që vitin 2017-të e kemi përfunduar me një rritje të numrit të turistëve me 16.6%. Numri  i turistëve të huaj është rritur në 23.5% në krahasim me vitin 2016.  Ndërkohë bujtjet e turistëve të huaj në vend janë rritur në 22.8%”, theksoi Bekteshi.

Ai potencoi se në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i turistëve në vend është rritur për 18.7 për qind.

“Vetëm në muajin maj të këtij viti, Maqedoninë e kanë vizituar 104.034 turistë, të cilët mesatarisht kanë qëndruar dy netë në vend”, theksoi ministri i Ekonomisë.

Ai deklaroi se tendenca e Ministrisë së Ekonomisë është ai numër të rritet.

“Qëllimi ynë është deri në vitin 2020 numri i turistëve  në Republikën e Maqedonisë të jetë një milion,  me  tre milion bujtje të realizuara, ndërsa pjesëmarrja e turizmit  në BPV të jetë pesë për qind”, sqaroi Bekteshi.

Ai ka informuar  se aplikacioni “Visit Macedonia”  është përpunuar në tre versione: Telefonike, Kompjuterike, dhe  Administratori konsol, si dhe në tri gjuhë: anglisht, maqedonisht dhe shqip.

“Qëllimi i aplikacionit, i cili është në fazën përfundimtare, është të ofrojë qasje  deri te të gjitha informatat e nevojshme që ta bëjë  më interesant dhe më të rehatshëm qëndrimin e çdo turisti në shtetin tonë”, tha ministri i Ekonomisë.

Bekteshi dërgoi apel deri te të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë sa më shumë ta shpërndajnë aplikacionin në rrjetet sociale, me qëllim të promovimit të tij më të madh.