Wednesday, 19 September 2018 | Lajme: 0

Zaev: Jemi të njohur si vend lider në rajon nga aspekti i politikës së jashtme dhe çështjeve dypalëshe

Duhet thënë se Republika e Maqedonisë ka vend special në këtë edicion të Samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Me marrëveshjen e arritur për kontestin Maqedoni-Greqi për emrin dhe për partneritet strategjik me Greqinë, si dhe me datën për negociata me BE-në, vendi ynë është i njohur si lider në rajon nga aspekti i politikës së jashtme dhe çështjeve dypalëshe dhe trashëgimisë nga e kaluara, deklaroi kryeministri Zaev me rastin e pjesëmarrjes së delegacionit të Maqedonisë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Londër.

“Mënyra në të cilën vendi i ka mbyllur çështjet e hapura me të gjithë fqinjët është model për një tregim të suksesshëm që e përshëndeti e gjithë bota demokratike, dhe veçanërisht fqinjët tanë dhe partnerët tanë në Bashkimin Evropian”, tha Zaev.

Siç kumtoi pres shërbimi qeveritar, në vlerësimin për pjesëmarrje në këtë edicion të samitit BE-Ballkani Perëndimor, ai theksoi se bëhet fjalë për tubim respektibil i cili sivjet ishte përkushtuar në bashkëpunimin ekonomik rajonal si pjesë thelbësore nga proceset integruese të BE-së, të politikës së jashtme dhe çështjeve dypalëshe dhe trashëgimisë nga e kaluara, si dhe të çështjeve të sigurisë dhe migrimit, temë në të cilën, thotë, plotësisht është e fokusuar BE dhe të gjitha vendet e tjera evropiane.

Sipas tij, në këtë Samit ka ardhur në shprehje edhe një herë përcaktimi i të gjitha vendeve në rajon të ndajnë qëndrime dhe vlera evropiane lidhur me ndërlidhjen dhe bashkëpunimin e përbashkët.

Ai potencoi se një ndër elementet për mjedis të motivuar për nisma të biznesit është edhe ftesa që Republika e Maqedonisë të jetë vendi i 30-të i NATO-s që e presim për një-dy ditë në Bruksel.