Friday, 16 November 2018 | Lajme: 0

Erdogan bën betimin si president i Turqisë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, theksoi se do të jetë i denjë për popullin turk pas marrjes zyrtare të detyrës si presidenti i parë i vendit nën sistemin e ri të qeverisjes.

Pas betimit në Parlamentin e Turqisë, Erdogan mori pjesë në ceremoninë e inagurimit në rezidencën presidenciale në Ankara, në të cilën të pranishëm ishin edhe presidentë dhe kryeministra të shumë vendeve, përfshirë edhe nga rajoni.

“Populli ynë asnjëherë nuk na la vetëm, nuk na la në rrugë. Më 24 qershor na zgjodhi edhe një herë për t’i shërbyer”, tha Erdogan.

“Do të përpiqem të jem i denjë për popullin tonë me vetëdijen se jam presidenti i 81 milionëve, jo vetëm i atyre që na votuan”, shtoi ai.

Të pranishëm në ceremoninë e inagurimit ishin edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Më 24 qershor, Erdogan, njëherësh kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), fitoi shumicën absolute në zgjedhjet presidenciale me 52,59 % të votave, përcjell Atsh.

Më 16 prill të vitit 2017, Turqia mbajti një referendum ku u vendos që të kalohej nga sistemi parlamentar në atë presidencial.