Friday, 20 July 2018 | Lajme: 42

Biznesi në fokus të Samitit të 7-të të shefave të qeverive të Kinës dhe 16 vendeve të EQL-së (16+1) në Sofje

Një delegacion biznesi i Maqedonisë do të marrë pjesë në samitin e 7-të dhe forum i biznesit të shefave të qeverive të Kinës dhe 16 vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL), që do të mbahet nesër në Sofje.

Nikoqir i takimit të 7-të të shefave të qeverive të Kinës dhe EQL-së është Republika e Bullgarisë, ndërsa organizatorë janë Ministria e Ekonomisë së Bullgarisë, Agjencia Bullgare për Promovimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (ABPNVM) dhe Këshilli Afarist i Kinës (SEES).

“Interesi i kompanive nga të gjithë sektorët për pjesëmarrje në Samitin e sivjetmë është i madh. Besojmë se do t’i tejkalojmë sukseset nga viti i kaluar në Budapest”, thotë Daniella Arsovska, kryetare e LOE, në prag të Samitit.

Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë (LOE) është nënshkruese e Marrëveshjes së vetme në Ballkan për bashkëpunim ekonomik me Kinën, që, sipas LOE-s për kompanitë e Maqedonisë hap rrugë për qasje të drejtpërdrejtë në tregun më të madh aziatik.

Delegacioni i biznesit të LOE-s do të ketë prezantim të posaçëm për investuesit kinezë të cilët planifikojnë hyrje në tregun evropian.

Statistika tregon se në vitin 2017 dhe në 2016 Kina ka qenë partneri i shtatë tregtar i Maqedonisë. Këmbimi i përgjithshëm tregtar ka qenë 506 milionë dollarë amerikanë. Është realizuar  eksport prej 62,2 milionë, ndërsa importi prej 444 milionë dollarë. Në vitin 2016 këmbimi ka arritur 469 milionë dollarë me eksport të realizuar prej 47,8 milionë dhe 421,2 milionë dollarë për import.