Friday, 16 November 2018 | Lajme: 0

Ivanov i përgjigjet më në fund Qeverisë

Kabineti i presidentit Gjorgje Ivanov duke iu përgjigjur qeverisë për mos pranimin e mjetit të llogaridhënies thotë se nuk ka nevojë për mjete shtesë të llogaridhënise, pasi në nëntë vitet e fundit Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov ka shfrytëzuar fondet buxhetore në mënyrë të përgjegjshme, të ndërgjegjshme dhe transparente.

“Në këtë drejtim, ne theksojmë se të gjitha furnizimet publike nga Kabineti i Presidentit kryhen në mënyrën më transparente dhe në përputhje me të gjitha rregulloret ligjore dhe ato janë në dispozicion të publikut. Kjo është konfirmuar nga raportet e Komisionit për revizion mbi funksionimin e Kabinetit të Presidentit”, thuhet në komunikatën e zyrës së presidenti, njofton Shenja.

Ata theksojnë se për të ofruar informacione objektive për publikun, Kabineti i Presidentit të Republikës së Maqedonisë, si më parë dhe në të ardhmen, është plotësisht i disponueshëm për çdo informacion lidhur me operacionet financiare dhe shpenzimin e parave publike për qëllime zyrtare.

“Duke pasur parasysh se ekzistojnë mekanizma për të kontrolluar performancën financiare të institucioneve shtetërore, Kabineti i Presidentit nuk ka asnjë detyrim ligjor për të pranuar “mjete” shtesë”, përfundon komunikata.