Monday, 22 October 2018 | Lajme: 17

BE: 100 miliardë euro për programet shkencore

Bashkimi Europian (BE) planifikon të ndajë një fond prej 100 miliardë eurosh nga buxheti i saj në të ardhmen për programet që do të mbështesin kërkimin, zhvillimin shkencor dhe inovacionin.

Komisioni Europian ka bërë të ditur propozimin e një fondi prej 100 miliardë eurosh në buxhetin 2021-2027 për projektin “Horizon Europe”, me të cilin do të mbështetet kërkimi, zhvillimi shkencor dhe inovacioni.

Projekti “Horizon Europe”, do të jetë në cilësinë e vazhdimit të programit aktual “Horizon 2020” të BE-së.

Gjithashtu, pritet të formohet një Këshill Europian i Inovacionit ku BE-ja do të luajë një rol udhëheqës në inovacion. Këshilli do të sigurojë mbështetjen financiare dhe teknike nga një pikë e vetme për kompanitë me potenciale të mëdha sipërmarrëse.

Programi “Horizon Europe” do të fokusohet në sfidat sociale dhe ndryshimet industriale.

Në këtë mënyrë, programi do të ofrojë më shumë mbështetje për projektet që mbulojnë fusha të tilla si, lufta kundër kancerit dhe transporti i pastër.

Gjithashtu, me mundësitë e reja që do të sigurohen, do të rriten mundësitë e inovacionit të vendeve anëtare të BE-së. Do të dyfishohen mbështetjet për vendet anëtare të BE-së me nivele të ulëta të kërkimit, zhvillimit shkencor dhe inovacionit kombëtar, percjell Atsh.

Të dhënat dhe publikimet shkencore që mbështeten me programin “Horizon Europe” do të jenë të hapura.

Gjithashtu “Horizon Europe” do të punojë në mënyrë më efektive me programe të ndryshme të tilla si, harmonizimi, mbrojtja dhe dixhitalizmi i BE-së.