Saturday, 18 August 2018 | Lajme: 0

“Rusi 2018”, siguria në vemendje maksimale

Edhe pak ditë na ndajnë nga kupa e botës “Rusi 2018”, veprimtarisë madhore aq të dashur për të gjithë. Futbollistë, trajnerë, me stafet e tyre drejtuese, tifozë, dashamirës të futbollit, do të jenë prezent në disa nga qytetet ruse ku do të luhen ndeshjet e botërorit për gati një muaj. Për t’u siguruar qetësinë dhe një qëndrim të rehatshëm në vendin e tyre, Rusia dhe gjithë strukturat e saj janë munduar të marrin masat e duhura. Për këtë flet Anton Gusev, Zëvendësshefi i parë i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Brendshme. “Të gjitha forcat e sigurisë do të përfshihen gjatë Kupës së Botës, si policia dhe Ministria e Situatave të Jashtëzakonshme. Gjithashtu, FIFA dhe Komiteti Lokal i Organizimit kanë rekrutuar agjencitë private të sigurisë, kështuqë ekziston spektri i plotë i forcave ekzistuese të sigurisë, të cilat do të jenë plotësisht të përfshira”.

Janë 15 ministri të cilat janë përfshirë në projektin e sigurisë së Kupës së botës. Eshtë Alexei Lavrishçev, kreu i sigurisë për Kupën Botërore të Rusisë 2018 i cili sqaron: “Pesëmbëdhjetë ministri dhe shërbime janë angazhuar për të siguruar qetësinë, por kjo ka të bëjë vetëm me aktorët kryesorë, në të vërtetë ka më shumë, e mes të cilave, është natyrisht Ministria e Mbrojtjes, e cila ka barrën kryesore”.

Deri tani qetësia ka mbizotëruar në qytetet ruse që do të mirëpresin ndeshjet e botërorit, por Alexei Lavrishçev, tregon se janë marrë të gjitha masat. “Deri tani nuk kemi regjistruar asnjë kërcënim për pjesëmarrësit në Kupën e Botës, por nga eksperiencat e mëparshme kemi dëgjuar. Ne kemi krijuar një plan të qartë të sigurisë dhe jemi gati të përballojmë të gjitha kërcënimet e sigurisë, pavarësisht nga origjina e tyre” thotë ai.