Thursday, 21 June 2018 | Lajme: 2

Anita Bezhoska prej sot guvernatore e Bankës Popullore të Maqedonisë

Anita Angellovska – Bezhovska edhe zyrtarisht mori detyrën e guvernatores së Bankës Popullore të Maqedonisë nga ana e guvernatorit të deritanishëm, Dimitar Bogov. Angellovska – Bezhovka pas marrjes së detyrës tha se sfidë kryesore për të do të jetë ruajtja e stabilitetit financiar dhe kursit stabil të denarit.

“Para meje qëndron sfida për vazhdimin e zbatimit të politikës monetare të suksesshme dhe të pavarur, në drejtim të përmbushjes së qëllimeve të garantuara ligjore të Bankës Qendrore, e ato janë stabiliteti i çmimeve për të cilin vlerësojmë se është kontributi më i mirë të cilin mund ta japësh në shoqëri edhe atë nëpërmjet strategjisë për mirëmbajtje të kursit stabil të denarit, më tej ruajtjen e stabilitetit bankar dhe të sistemit bankar”, deklaroi guvernatorja e BPRM-së, Anita Angellovska Bezhovska.

Ish-guvernatori, Dimitar Bogov, me këtë rast tha se gjatë drejtimit shtatëvjeçar me BPRM-në, vendi ka pasur kurs stabil të denarit dhe sistem stabil bankar. Kjo, sipas tij, ka ndikuar në rritjen dhe zhvillimin ekonomik dhe në nivelin më të ulët të kamatës.

“Denari aspak nuk humbi nga konkurrenca në relacion me euron, gjegjësisht, nuk kemi pasur këtë periudhë mbiçmim të denarit, mu për atë se inflacioni ka qëndruar në nivel të njëjtë si në eurozonë. Stabiliteti financiar është tërësisht i mirëmbajtur dhe sektori bankar, i cili është segment udhëheqës në sektorin tonë financiar, me sukses është zhvilluar dhe rritur në tërë këtë periudhë”, tha ish-guvernatori i BPRM-së, Dmitar Bogov.

Paraprakisht, Angellovska Bezhovska lexoi edhe deklaratën solemne para kreut të Kuvendit, Talat Xhaferit, me të cilën u betua se do të punojë me nder dhe përgjegjësi.

Angelovska – Bezhoska është guvernatori i pestë dhe gruaja e parë në këtë pozitë. Deri tani ajo ushtronte funksionin e zëvendësguvernatores në Bankën Popullore, ndërsa ka punuar edhe në FMN dhe Ministrinë e Financave.