Tuesday, 16 October 2018 | Lajme: 38

Lëvizja Besa: Nuk ka vend për panikë nga ministri i Kulturës i Lëvizjes BESA (Video)

Pas njoftimit zyrtar se Lëvizja BESA do ta drejtojë ministrinë e Kulturës në qeverinë e Republikës së Maqedonisë, kjo parti politike ka reaguar ndaj zërave të ditëve të fundit kundër mundësisë që Besa ta merr këtë ministri.

Në reagimin dërguar Telegrafit Maqedoni, mes tjerash thuhet se “duke e respektuar qëndrimin e tyre, si dhe duke shfaqur gatishmëri për të bashkëbiseduar dhe komunikuar me të gjithë ata se me çka rrezikohet kultura në Maqedoni nëse atë e drejton Lëvizja Besa, pa dashur të paragjykojmë për motivet dhe prapavijën e nxitjeve, dëshirojmë të shpjegojmë se nëse ndonjë parti shqiptare në Maqedoni ka merituar të jetë pjesë e kësaj qeverie, kjo është Lëvizja Besa.

OJQ-të e tilla duhet t’i mbajnë mend, sepse nuk kanë qenë moti, se shqiptarët e vetëm në protestat e organizuara gjatë vitit 2015 dhe më vonë nëpër rrugët e Shkupit ishin pikërisht eksponentët e lartë të Lëvizjes Besa, madje vet kryetari aktual, Afrim Gashi.

Nëse dikujt nuk i kujtohet, mjafton t’i shfletojë fotografitë e atyre pamjeve. Përveç kësaj, para pak ditësh vet Kryeministri e tha se regjimi i kaluar, në luftën për eliminimin e forcave opozitare, përveç LSDM-së, e kishte edhe Lëvizjen Besa.

Prandaj, ne jemi të bindur se nuk ka nevojë për kurrfarë paniku, sepse ata ose nuk janë mirë të informuar për BESËN ose informacionet që i kanë janë sajesa të kundërshtarëve tanë politikë, që ia kanë dalë për mrekulli ta bëjnë demonizimin e Lëvizjes Besa në sy të tyre.

Sidoqoftë, Lëvizja Besa – duke rikujtuar se postet e ministrave janë funksione politike – mbetet e hapur për dialog me të gjithë faktorët politikë dhe joqeveritarë në vend për të bashkëbiseduar dhe komunikuar, ndërsa ministri i Kulturës nga radhët e Besës do të jetë pikërisht fryma e re shqiptare që kemi synuar ta sjellim në skenë pas rënies së regjimit.

Ai do të jetë i gatshëm t’i dëgjojë të gjitha propozimet, ankesat, sugjerimet dhe kritikat e opinionit publik, pavarësisht përkatësisë etnike, gjithë kjo me qëllim që të prodhojmë vlera të njëmendta kulturore për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe vendit në përgjithësi”(sic), thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa./