Saturday, 18 August 2018 | Lajme: 0

“Kjo çfarë po bën Reali ndodh një herë në 100 vjet”

4 finale në 5 vitet e fundit – tashmë Reali ka rrëmbyer tre trofe dhe kundër Liverpoolit, do të kërkojë të katërtin, Mijatovic thotë se kjo që po bën Madridi ndodh njëherë në 100 vjet.

Predrag Mijatovic, që shënoi golin e vetëm në finale të Champions League kundër Juventusit më 1998 për t’i dhuruar trofeun e shtatë Real Madridit, ka thënë se kjo që po bën Zinedine Zidane është për t’u shijuar dhe lavdëruar, pasi do të mbetet gjatë në historinë e këtij sporti.

Ai ka folur edhe për finales e 26 majit në Kiev. Për dallim nga finalet me Atleticon (2014 e 2016) e Juventusin (2017), Mijatovic frikësohet më shumë, ka vetëm fjalë të mira për siç ka thënë ai “ekipin e çmendur” të Klopp.

“Ajo çfarë po bën Real Madridi ndodh njëherë në 100 vjet. Në rastin e Madridit, dy herë në 100 vjet, sepse tashmë kanë arritur një epokë historike me Di Stéfano, Puskas dhe Gento. Fituan pesë herë me radhë”, tha Mijatovic.

“Finalja në Kiev? Në tri finalet e fundit, dy kundër Atleticos dhe një kundër Juves, kam qenë shumë, shumë optimist. Ende jam, por duke mos treguar se kam edhe frikë. Kam shumë respekt për Liverpoolin”, shtoi ai.

“Frikë? Po, sepse është ekip i çmendur në kuptimin e plot të fjalës. I çmendur sepse sulmon dhe kujdeset pak për mbrojtjen. Janë në gjendje të të shënojnë 5 gola në 20 minuta dhe të pranojnë 3 në dy minuta. Kjo më frikëson, sepse ata s’kanë asgjë për të humbur”.

“A më pëlqen Klopp? Shumë, shumë… Ai është trajner i shkëlqyer. Trajner për futbollin e sotëm”.

“Klopp tashmë ka humbur një finale dhe tani ka më shumë eksperiencë, kjo e bën edhe më të rrezikshëm Liverpoolin. Sigurisht, (Klopp) do të shndërrohet në një prej më të mirëve…”, theksoi mes tjerash Mijatovic për AS.

mijatovic_1526736153-844815-696x392