Friday, 16 November 2018 | Lajme: 0

Rritet numri i viktimave në Gaza, mbi 40 protestues të vdekur gjatë kundërshtimit të ambasadës në Jerusalem (VIDEO)

Të paktën 41 palestinezë janë vrarë dhe mbi 1,800 janë plagosur nga ushtria izraelite, pranë kufirit të Gazës më 14 maj, në ditën kur Shtetet e Bashkuara kanë hapur ambasadën amerikane në Jerusalem.

Lëvizja islamike Hamas, që udhëheq në Gaza prej vitit 2007, ka udhëhequr protesta masive për më shumë se gjashtë javë.

Mbi 50 persona janë vrarë që prej nisjes së protestave.

Shumica e dy milionë banorëve të këtij territori janë pasardhës të refugjatëve dhe protestat janë cilësuar si ‘Marshi i Madh i Rikthimit’.

Protestuesit po kërkojnë që të kthehen në shtëpitë e tyre, që tashmë janë në territorin e shtetit të Izraelit.

Një delegacion i Shtëpisë së Bardhë dhe zyrtarë izraelitë kanë qenë pjesë e ceremonisë së inaugurimit, duke përfshirë Ivanka Trumpin, vajzën e presidentit amerikan, Donald Trump.

Presidenti Trump pritet të mbajë një fjalim përmes videolidhjes.

Përveç Ivanka Trumpit dhe burrit të saj Jared Kushner, që janë këshilltarë të lartë në Shtëpinë e Bardhë, pjesë e ceremonisë kanë qenë edhe Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin dhe zëvendës-Sekretari i Shtetit, John Sullivan.


Bashkimi Evropian ka shfaqur kundërshti të hapur për këtë hap të ambasadës.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u ka bërë thirrje të “gjitha shteteve t’i bashkohen vendimit të SHBA-së për bartje të ambasadave në Jerusalem”.

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas e ka përshkruar vendimin e Trumpit si “shuplakë të shekullit”.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar më herët se Shtetet e Bashkuara e njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Palestinezët kërkojnë që Jerusalemi Lindor të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre në të ardhmen.

Izraeli ka aneksuar pjesën lindore dhe ka deklaruar të gjithë qytetin si kryeqytet, ndonëse një vendim i tillë nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.

Vendimi i Trumpit ka nxitur protesta të përgjakshme ndërkohë që 128 shtete e kanë dënuar hapin e tij në një votim në Asamblenë Gjenerale të Kombeve të Bashkuara.

Konsullata momentale do të shërbejë si lokacion i ambasadës pasi planet janë në realizim e sipër për krijimin e një ndërtese të përhershme në një pjesë tjetër të Jerusalemit.

Ngjarja e sotme përkon me festimet e Ditës së Jerusalemit, një festim vjetor që shënon “ribashkimin” e qytetit pas luftës gjashtëditore më 1967.

Statusi i Jerusalemit përbën zemrën e konfliktit në mes të Izraelit dhe Autoritetit Palestinez.

Sovraniteti i Izraelit për Jerusalemin nuk njihet ndërkombëtarisht dhe sipas marrëveshjeve të paqes në mes të izraelitëve dhe palestinezëve më 1993, statusi i këtij qyteti duhet të diskutohet në fazat e ardhshme të paqes.

Një ditë pasi Izraeli shënon përvjetorin e shtetësisë, palestinezët përkujtojnë atë që e quajnë Nakba ose Katastrofa, duke iu referuar largimit të qindra mijëra personave nga shtëpitë e tyre nga territori që sot administrohet nga Izraeli.

Përndryshe 14 maji shënon edhe 70-vjetorin e krijimit të Izraelit. /rel/.