Wednesday, 19 September 2018 | Lajme: 0

Receta më e lehtë dhe e shijshme e kekut me luleshtrydhe

Sa fëmijët tuaj të vendosin se çfarë ëmbëlsire u hahet, ju do u keni servirur në pjatë një copë nga keku më i shijshëm me luleshtrydhe. Linda Fishta ka ndare me të gjithë lexuesit e Living recetën më të shpejtë dhe të lehtë të kekut me luleshtrydhe, duke qenë se jemi dhe në kohën e tyre

Koha e përgatitjes 10 minuta

Përbërësit për tavë me diametër 24 cm:
80g gjalpë • 180g miell • 8g sodë për ëmbëlsira • 1/3 lugë kafeje kripë • 150g sheqer • 1 kokërr vezë • 130ml qumësht • 1 bustinë vanilje • `250-300g luleshtrydhe
Përgatitja:
1. Ndezim paraprakisht furrën në temperaturën 180°.
2. Në një tas, rrahim gjalpin dhe sheqerin me rrahësin elektrik për tre minuta. Shtojmë vezën dhe më pas qumështin pa e fikur rrahësin elektrik. Hedhim kripën dhe vaniljen, ulim shpejtësinë e rrahësit dhe nëpërmjet një site, shtojmë miellin me sodën. Hedhim brumin te tava e veshur me letër furre, vëmë sipër luleshtrydhe të ndara në mes pa i ngjeshur në brumë.
3. E pjekim kekun në furrë për 35-40 minuta. Bëjmë provën me kruajtësen e dhëmbëve dhe nëse ajo del e pastër, keku është gati. E lëmë të pushojë për dhjetë minuta në tavë, pastaj e vendosim mbi një grilë që të ftohet. Në rast të kundërt, keku do të mbetet i lagësht poshtë. Keku ka shije më të mirë nëse konsumohet të nesërmen. Ai është një ushqim mjaft i mirë për mëngjes, por edhe një ëmbëlsirë fantastike nëse shoqërohet me pak akullore me vanilje.