Friday, 21 September 2018 | Lajme: 11

U përdhunua dhe lindi fëmijën e 55-vjeçarit, flet minorenia: Ndihem shumë e frikësuar, kam hall se më vrasin

Frika dhe pasiguria nuk kane fund për familjen Biba, edhe pasi vajza e tyre vetëm 15-vjeçare ra pre e një përdhunimi dhe solli në jetë një fëmijë. Prej muajit dhjetor e mitura lindi foshnjën, fryt i një përdhunimi mizor nga 55-vjeçari Ligor Biba.

Me gjithë përpjekjet e 55-vjeçarit për të fshehur të vërtetën e tmerrshme, analiza e ADN-së e vërtetoi atësinë e foshnjës. Në familjen Biba në një banesë gati të rrënuar në Velçan të Pogradecit përveç kushteve të mjerueshme ka pllakosur turpi, heshtja dhe frika si pasojë e kërcënimeve nga familjarët e Bibës, që 55-vjeçari të lirohet nga hekurat dhe të fitojë lirinë.

Madje në këmbim të lirisë së Ligor Bibës familjaret iu kanë ofruar edhe para. Ankthi dhe frika e detyron 15-vjeçaren të mos qëndrojë në asnjë moment vetëm dhe larg shtëpisë.

“Kam hall se më vrasin andej. Për këtë arsye nuk vete në shkollë. Ai le të rrijë atje. Ndihem e frikësuar, ja erdhën sot, erdhën nesër, për këtë ndihem e frikësuar. A do ta lirosh, ne kemi thënë jo dhe jo. Për këtë shkak ata vijnë këtu. Natë për natë i ke këtu. Thanë ata 10 milionë lekë dhe falje. Dhe ne thamë jo nuk kemi nevojë për lekë. Tani e ka shteti në dorë”, tregon 15-vjeçarja.

Mes dhimbjes për dramën e shkaktuar familjes së saj, nëna e 15-vjeçares tregon kërcënimet e vazhdueshme të familjes së 55-vjecarit. Ajo kërkon dënim maksimal për atë që shkatërroi jetën e vajzës së saj vetëm kur ajo ishte 15 vjeçe.

“S’po na lënë rehat. Po vijnë në shtëpi, në 12 të natës dhe s’po na lënë rehat. Të motrat, shtëpia e tij e gjithë po na vijnë. Unë nuk e liroj, atje le të vdesë. S’ka jetë prej meje. Unë e futa në burg, atë që i bëri çupës sime. Unë deri këtu, po erdhën do t’i vras. Nuk i dua hiç në shtëpi. Erdhën këtu, unë do t’i bie në kokë. Mua mu mërzit jeta dhe po rrimë me frikë”, thotë nëna e 15-vjeçares.

Për shkak të kushteve të vështira dhe turpit për të rritur foshnjën që lindi si pasojë e marrëdhënieje të padëshiruar, nëna e mitur ia ka besuar foshnjën e saj një qendre jetimore në Tiranë.

“Foshnja është në Tiranë, në një jetimore. Unë nuk e dua fëmijën. Fëmija le të rrijë atje e ta shikojnë të tjerë. Unë nuk dua ta shikoj. Le ta paguajë ai që e polli, unë nuk mbaj përgjegjësi”, thotë më tej nëna.

Vetëm pak ditë më analiza e ADN vërtetoi që 55-vjeçari Ligor Biba është babai i fëmijës së ardhur në jetë, si pasojë e një përdhunimi. Në udhëkryq mbetet fati i një foshnje të pafajshme, ndërsa problemet mes dy familjeve vazhdojnë të jenë prezente teksa procesi gjyqësor ende vijon ne Gjykatën e Korçës.BW