Thursday, 19 July 2018 | Lajme: 0

Parkingjet në Çair, një katrahurë e vërtet (VIDEO)

Qyteti i Shkupit vijon të jetë i mbingarkuar nga veturat e parkuara nëpër vende të papërshtatshme. Kjo situatë kaotike dominon veçanërisht në rrugët e Çairit.

Trotuaret në rrugët e Çairit janë pothuajse të gjitha të bllokuara prandaj të gjithë banorët e kësaj komune detyrohen të ecin nëpër rrugën kryesore në vend se në trotuare. Kjo vjen si pasojë e mungesës së parkingjeve.

Vozitësit janë të revoltuar sepse u duhet të sillen vërdallë për të gjetur një vend parkimi.

Për një dokument erdha, jam sjellë vërdallë 15 minuta derisa kam gjetur vend për parkim.  Për momentin këtu kam punë dhe më duhet të pres 15 minuta.”

Pengojnë shumë, nuk mund të kalojmë. Duhet të kalojmë aty në rrugë dhe jetën e kemi në rrezik mirëpo pushteti nuk po bën asgjë.

Pengojnë, mezi kalojmë. Duhet të largohen këto vetura nga këtu.

Gjithnjë pengojnë, nuk ka parkingje si duhet, nuk ka asnjë gjë në rregull. Komuna flet për parkingje por, vështirë të realizohet sepse nuk ka rregulla këtu.  Kur njerëzit kalojnë në këmbë ose biçikletë nuk kanë ku të ecin dhe duhet të presin të kalojnë nga ana tjetër, mund t’i godasë ndonjë veturë – shprehen qytetarët.
Nga Komuna e Çairit vazhdojnë të premtojnë zgjidhjen e kësaj problematike por procedurat për ndërtimin e planit të paraparë të garazheve me kate janë ende në letër.

Për të filluar me ndërtimin e garazheve në kate duhet bërë shqyrtimi i planit detal urbanistik si dhe të realizohen procedurat tjera, në radhë të parë edhe procedura e furnizimeve publike. Po mendohen disa lokacione. Duke e pasur parasysh punën e komplikuar që duhet të realizohet me përgatitjen e dokumentacionit dhe realizimin e procedurave të ndryshme nuk do kisha dashur që të supozoj me afat kohor – thotë Kushtrim Alla, zëdhënës në Komunën e Çairit.
Nga Ministria e Brendshme njoftojnë se në periudhën kohore prej muajit janar deri në fillim të muajit prill, në territorin e Qytetit të Shkupit janë marrë gjithsej 5620 vetura me shërbimin “Merimanga” dhe janë shqiptuar gjithsej 6109 masa për parkim. Për ndalim dhe parkim në korsi gjoba është 45 euro, për parkim në hapësirat për këmbësorë, në hapësirat për biçikleta, hekurudha dhe ura gjoba është 180 euro, në trotuare 150 euro, kurse për bllokim të stacioneve të taksive dhe autobusëve parashihet gjobë prej 40 euro./alsat-m/