Friday, 16 November 2018 | Lajme: 32

Në Maqedoni nuk ka domate të pasigurta nga Turqia

Në Maqedoni nuk janë importuar domate të pasigurta nga Turqia, kumtoi Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV).

Agjencia, si  pikë kontakti  në Sistemin për paralajmërim të shpejtë të ushqimit të pasigurt dhe ushqimit për kafshë të BE-së, nuk ka marrë kurrfarë njoftimi për import të domateve të pasigurta nga Turqia në tregun e Maqedonisë.

Shërbimet inspektuese bëjnë kontrolle të vazhdueshme të dërgesave me perime të cilat importohen dhe ato lëshohen në treg  vetëm pas marrjes së konstatimit nga analizat e kryera laboratorike me të cilat konfirmohet  se nuk përmbajnë pesticide ose materie të tjera të dëmshme mbi  koncentrimet e lejuara maksimale.

“Rregullisht kontrollohet edhe tregu vendor, qendrat distribuive, si dhe kapacitetet e përpunuara. Në mënyrë plotësuese, qarkullimi me perime kontrollohet në suaza të  kontrolleve në dyqanet e përziera të cilat përfshijnë edhe tregti me këtë lloj të prodhimtarisë”, theksojnë nga AUV.

Nga fillimi i vitit deri tani nga Turqia, Greqia, Shqipëria dhe Italia janë importuar 264 dërgesa me domate në sasi prej 2.547.581 kg.

Përveç, kontrolleve të rregullta inspektuese, sipas rekomandimeve të BE-së, AUV nga viti 2012 e zbaton edhe Programin për monitorimin e sigurisë së ushqimit qëllimi i së cilës është përcaktimi i pranisë eventuale dhe të koncentrimeve të kontaminimeve në ushqim, si dhe evaluimi i ndikimit të tyre ndaj shëndetit të njeriut.