Thursday, 19 July 2018 | Lajme: 50

Bekteshi takoi Ministrin e Ekonomisë të Emirateve, Sulltanin Bin Said Al Mansuri

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi gjatë vizitës zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, sot u takua me Ministrin e Ekonomisë të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sulltan bin Said Al Mansuri. Takimi i Bekteshit me Al Mansurin u zhvillua në margjinat e edicionit të tetë të Samitit Vjetor të Investimeve në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, që po mbahet nën patronazhin e Madhërisë së Tij Sheik Mohamed Bin Rashid Al Maktum, nënkryetar i EBA dhe Kryeministër i Dubait.

Bekteshi para ministrit Al Mansuri prezantoi gjendjen e përgjithshme ekonomike dhe mundësitë e investimeve në Republikën e Maqedonisë, ndërsa nga aspekti i bashkëpunimit tregtar midis dy vendeve, vlerësoi se ka kapacitet për intensifikimin e tij, në drejtim të rritjes së shkëmbimit tregtar, por gjithashtu edhe në drejtim të rritjes së numrit të turistëve në të dy vendet.

Në këtë drejtim, Bekteshi dhe Al Mansuri theksuan nevojën për nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi në fushën e turizmit, i cili do të përcaktojë hapat për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në këtë sektor të rëndësishëm ekonomik, duke pasur parasysh se Maqedonia ka një listë të destinacioneve që do të ishin tërheqëse për turistët nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Me qëllim të inkurajimit të investimeve nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Republikën e Maqedonisë, dy ministrat propozuan nënshkrimin e një marrëveshjeje për mbrojtjen e investimeve midis dy vendeve, ndërsa Ministri Bekteshi ftoi Ministrin Al Mansuri në një vizitë kthyese, propozim ky që u mirëprit nga kolegu i tij.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku është duke u zhvilluar Edicioni i tetë i Samitit Vjetor të Investimeve në Dubai, Ministri Bekteshi u takua edhe me disa investitorë të interesuar dhe në kuadër të samitit të investimeve paraqiti mundësitë e investimeve në Republikën e Maqedonisë dhe gjendjen ekonomike të vendit.

5-300x2004-300x200